Një epokë e artë me Bayern Munich ka marrë fund. Kingsley Coman, një nga emrat më të rëndësishëm të viteve të fundit tek kampionët gjermanë, është larguar nga Bundesliga për t’iu bashkuar skuadrës saudite Al-Nassr.
Sulmuesi 29-vjeçar i bashkohet kampionatit të Arabisë Saudite pas një dekade të mbushur me suksese në Mynih.
Coman u transferua fillimisht nga Juventus në verën e vitit 2015 si huazim, ndërsa në vitin 2017 Bayern e bleu përfundimisht kartonin e tij.
Me fanellën bavareze, francezi fitoi plot nëntë tituj të Bundesligës, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube, duke u bërë një simbol i suksesit të skuadrës.
Momenti i tij më i madh mbetet finalja e Ligës së Kampionëve në vitin 2020, ku shënoi golin vendimtar në fitoren 1-0 ndaj Paris Saint-Germain, duke i dhuruar Bayern-it trofeun më prestigjioz evropian.