Gjilani ka zyrtarizuar transferimin e një tjetër futbollisti. Ekipi nga Anamorava njoftoi se ka arritur marrëveshje me Yll Hoxhën.
Mbrojtësi i majtë dje u nda me Feronikelin, ndërsa sot u bë menjëherë me klub të ri. Nga sezoni 2021/22 ai do të jetë nën urdhërat e Ismet Munishit te SC Gjilani.
Mbrojtësi i majtë erdhi te Feronikeli në afatin kalimtar të janarit, të vitit 2017. Ai bëri gjithsej 170 paraqitje për “Industrialistët”, shkruan Gazeta Express.
I transferuar nga Kategoria Superiore e Shqipërisë, konkretisht nga Vllaznia, Hoxha fitoi gjithçka që mund të fitohet në Kosovë me FC Feronikelin, duke u mbajtur mend për golin e tij në ndeshjen e fundit të sezonit 2018/19, gol që shpalli Niklin kampion të Kosovës.