Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media ku kishte treguar se ka dorëzuar komentet e saj në Gjykatë Kushtetuese për çështjen e ngritur nga “Lista Serbe”, ishte shfaqur në një linjë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe sipas saj, Kuvendi i Republikës së Kosovës s’mund të mbahet i bllokuar për shkak të një nënkryetari të komunitetit pakicë, në këtë rast të komunitetit serb.
Gjithashtu, sulmet e bëra ditë më parë nga zyrtarë të LVV-së, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, drejt Gjykatës Kushtetuese, presidentja Osmani në konferencën e saj për media i ka relaitivzuar duke thënë se është liri e shprehjes dhe se është e drejtë që të komentohen e kritikohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, meqë sipas saj gjyqtarët e Kushtetueses s’janë të shenjtë.
Lidhur me këtë në një përgjigje për Gazetën Express kanë folur nga Zyra e Bashkimit Evropian. Zëdhënësi i Zyrës së BE-së, Nikola Gaon, ka thënë se roli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është që të interpretojë dhe të garantojë përputhshmërinë me Kushtetutën e Kosovës.
Gaon tutje ka thënë se aktorët politikë dhe krerët e institucioneve duhet të respektojnë dhe të përmbahen nga çfarëdo interference të padrejtë në punën e gjyqësorit, përfshirë edhe sulmet personale.
“Është detyrë e të gjithë aktorëve dhe institucioneve politike të Kosovës që ta respektojnë këtë rol dhe të përmbahen nga çdo formë ndërhyrjeje e padrejtë në punën e gjyqësorit dhe të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë sulmet personale”, ka thënë Gaon për Gazetën Express.
Në fund, zëdhënësi i Zyrës së BE-së në Prishtinë ka thënë se përgjegjësia për zgjidhjen e bllokadës bie mbi partitë politike, të cilat mund të zgjidhin atë përmes kompromisit, duke u mbështetur në karakterin demokratik dhe shumëetnik të Kosovës.
“Përgjegjësia për zgjidhjen e një ngërçi politik bie para së gjithash mbi të gjitha mbi të gjitha partitë politike, të cilat mund ta shmangin ngërçin përmes dialogut dhe kompromiseve për të kapërcyer bllokimin institucional dhe për të mbështetur karakterin demokratik dhe shumëetnik të Kosovës”, ka përfunduar Gaon./GazetaExpress/