Zviceranët nuk e kanë pritur aspak mirë vendimin e Leon Avdullahut për ta zgjedhur Kosovën para ekipit të tyre kombëtar.
Mediat e atjeshme madje konsiderojnë se ylli i ri i “Dardanëve” ua ktheu shpinën pasi deri tash ishte pjesë e ekipit U-21 të Zvicrës dhe Federata Zvicerane e Futbollit po shpresonte që ta kishte atë në dispozicion tek ekipi A për ndeshjet e shtatorit, në kualifikimet e Botërorit 2026.
Prej atyre që reaguan ndaj vendimit të futbollistit të Hoffenheimit ishte edhe mediumi zviceran “Bluewin”, i cili shkroi ndër të tjera se ish-futbollisti i Baselit ia ktheu shpinën Zvicrën, përcjell “Gazeta Express”.
E mediumi tjetër zviceran, “nau.ch” i ka shfajësuar Federatën Zvicerane dhe drejtuesit e Kombëtares së këtij vendi për vendimin e mesfushorit kosovar.
Sipas tyre, këto institucione e kanë bërë të pamundurën për ta bindur lojtarin, madje duke i shkuar edhe në Gjermani, por që kjo ishte e pamjaftueshme pasi futbollisti e zgjodhi një Kombëtare tjetër, në këtë rast Kosovën.
Avdullahu mund të ftohet tek Kosova për ndeshjet e shtatorit, pikërisht ndaj Zvicrës dhe kundër Suedisë. /Gazeta Express