Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka miratuar disa kërkesa për licencim dhe autorizime për furnizim, prodhim dhe vetëkonsum të energjisë elektrike
Janë miratuar aplikimet për licencim të aktivitetit të furnizimit me energji elektrike për kompanitë Norwegian PX Kosovë SH.P.K., BE Power SH.P.K. dhe Energy for Change L.L.C.
Anëtari i bordit të ZRrE-së, Ymeridin Misini, tha se kompanitë kanë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore.
“Kompania ka dorëzuar aplikacion për marrjen e licencës për furnizim. Dokumentet i kanë plotësuar në përputhje me kërkesat, po ashtu edhe dëshmitë. Konsideroj se aplikacioni është vlerësuar sipas rregullave dhe në përputhje me legjislacionin për një periudhë 5-vjeçare, si licencat e tjera”, tha Misini.
Po ashtu, u miratua licencimi i aktivitetit të prodhimit të energjisë elektrike për Energy Development Group Kosova L.L.C.
“Kompania në fjalë ka aplikuar pranë ZRrE-së. Projekti konsiderohet i ndërtuar, pasi janë plotësuar kushtet ligjore dhe janë dorëzuar dokumente nga komuna përkatëse. Janë sjellë të gjitha dëshmitë, është kryer edhe publikimi në gazetat online. Mbështetur në Ligjin për ZRrE për prodhimin e energjisë elektrike, licenca lëshohet për një periudhë kohe deri sa pajisjet të jenë funksionale. Propozohet që kësaj ndërmarrjeje t’i lëshohet licenca për një periudhë 25-vjeçare”, tha Misini.
Në këtë mbledhje, Bordi ka miratuar edhe dhënien e autorizimit për ndërtim për subjektin juridik Lindja Solar L.L.C., me kapacitet prej 100 MW në zonën kadastrale Kramovik dhe Petkoviq të Rahovecit.
“Lokacioni është në zonën kadastrale Kramovik dhe Petkoviq. Në kuadër të parkut solar është planifikuar të ndërtohen stacioni qendror, objekti administrativ teknik, si dhe nënstacioni brenda parkut. Bordit i propozohet të lëshohet autorizim për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese për prodhim të energjisë elektrike nga panelet solare me kapacitet 100 MW”, tha Misini.
Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, theksoi rëndësinë e këtij projekti.
“Është një nga projektet e para që ka kaluar përmes procedurave konkurruese, që është kërkesë e BE-së që të kalohet sa më parë në këtë procedurë. Ky është projekti i parë dhe shpresojmë që nuk do të jetë i fundit. Është nevojë për sektorin e energjisë dhe kemi nevojë për kapacitete shtesë”, tha Fejzullahu.
Bordi miratoi gjithashtu autorizimet për subjektet juridike Qazim R. Gashi B.I. – Babimoc 1, 2 dhe 3 në Komunën e Obiliqit, me kapacitet prej 4 MW, si dhe për EBE Energy SH.P.K.
Ndër vendimet tjera, u miratuan edhe dhjetëra kërkesa për autorizime për vetëkonsum, për kompani dhe persona fizikë, përfshirë: New Diamond SH.P.K., Magic Ice L.L.C., Nora Market, Liridoni Distribution (Depo 1 dhe Depo 2), Bau Market – Çagllavicë, Motel Delphini (1 dhe 2), Shkolla Fillore “Hasan Prishtina”, Horizon School Kosova SH.P.K., Kosmonte Foods SH.P.K., Shkolla Fillore “Ibrahim Rugova”, Jaffa Plus SH.P.K., Eling Grup SH.P.K., Cotex SH.P.K., Saba Group, OSA Termosistemi – Bernjak, si dhe disa persona fizikë me iniciale.