Prokuroria njofton se nuk do të mbështet në disa pretendime që kanë të bëjnë me ndalimin dhe keqtrajtimin e një personi në Ferizaj dhe vrasjen e një tjetri, që tashmë përmenden në aktakuzë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Po ashtu, sipas njoftimit të 2 majit 2025, Prokuroria ka bërë të ditur se pasi janë shqyrtuar provat e pranuara dhe në interes të lehtësimit të drejtësisë, e po ashtu efikasitetit të procedurës, ata nuk do të mbështeten edhe në pretendimet se Jakup Krasniqi ka qenë i pranishëm dhe vizitoi dhomën ku mbaheshin të ndaluarit në Malishevë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokuroria ka njoftuar se nuk do të mbështeten as në pretendime se Rexhep Selimi e kërcënoi një person në tetor të 1998-ës, identiteti i të cilit është i redaktuar.
Të gjithë personat për të cilët ka pretendime se janë ndaluar, vrarë e kërcënuar, emrat e tyre janë të redaktuar për publikun.
Veç kësaj, ZPS-ja ka sqaruar se në dy raste të redaktuara i referohen të njëjtit person, dhe jo dy personave të ndryshëm por që nuk kanë dhënë detaje se për cilën pjesë bëhet fjalë.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.