string(103) "zoteriu-i-pare-shkruan-per-dhjetera-kercenime-ndaj-presidentes-dhe-familjes-akuzon-se-po-heshtet-per-to"

Lajme

Gazeta Express

20/05/2025 10:09

Zotëriu i Parë shkruan për dhjetëra kërcënime ndaj Presidentes dhe familjes, akuzon se po heshtet për to

Lajme

Gazeta Express

20/05/2025 10:09

Zotëriu i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke përmendur dhjetëra kërcënime të përsëritura dhe të drejtpërdrejta me jetë ndaj Presidentes së Republikës dhe anëtarëve të familjes së saj.

Ai thotë se kërcënimet nuk janë të rastësishme dhe të izoluara, por të vazhdueshme, të qarta dhe specifike – të bëra nga profile anonime, por edhe nga individë publikë me emër e mbiemër. “Jo një. Jo dy. Dhjetëra”, shkruan ai, duke përmendur fraza alarmuese si: “Duhet eliminuar”, “Ka ardhur koha për fundin e saj” dhe “Një plumb e zgjidh”.

Sadroi i cilëson këto si thirrje të hapura për dhunë, që nuk targetojnë vetëm individin, por vetë institucionin e Presidentes së Republikës. Ai thekson se përveç kërcënimeve, janë shfaqur edhe shpifje të fabrikuara, të cilat kanë për qëllim të nxisin urrejtje dhe të krijojnë një klimë ku dhuna perceptohet si e justifikuar.

Në reagimin e tij, ai kritikon ashpër mungesën e reagimit institucional ndaj këtyre kërcënimeve:

“Asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë. Asnjë veprim. Asnjë përgjegjësi.”

Ai e cilëson heshtjen e institucioneve si bashkëfajësi, duke paralajmëruar se kjo situatë paraqet rrezik serioz jo vetëm për sigurinë e Presidentes dhe familjes së saj, por edhe për vetë stabilitetin institucional.

“Sot është Presidentja. Nesër dikush tjetër?” – përfundon ai, duke bërë thirrje për reagim të menjëhershëm institucional dhe ndëshkim të gjuhës së dhunës në hapësirën publike dhe mediatike.