Zotat që nuk qeshin - Gazeta Express
string(19) "zotat-qe-nuk-qeshin"

Gazeta Express

22/10/2020 8:21

Zotat që nuk qeshin

Gazeta Express

22/10/2020 8:21

Shkruan: Dritan Dragusha

“E qeshura është burim dyshimi”, prandaj “Krishti nuk qeshte”, sepse Zoti nuk qesh. Ai merret me gjëra serioze, kurse e qeshura të shpërqendron, “i shtrembëron vijat e fytyrës, e bënë njeriun t’i ngjasojë majmunit”. Mirëpo, e vërteta është se “të qeshurën e ka vetëm njeriu, është shenjë e arsyes së tij”. Ky është diskutimi mbi të qeshurën në mes të Uiliamit, i cili është në anën e së qeshurës dhe Jorgesë, i cili është kundër së qeshurës, e që të dy janë personazhe në librin Emri i trëndafilit të Umberto Eco-s, ku temë boshte është zbulimi i librit të humbur Komedia të Aristotelit. Pra, ky diskutim nxjerrë në pah vështirësitë që ka besimtari, madje pamundësinë që ta pranojë të qeshurën si pjesë të natyrës së tij. Nëse i shikojmë konstruktet e religjioneve monoteiste, librat e shenjtë që i përfaqësojnë ato, vërejmë se aty ka vetëm rregulla se si besimtari duhet të jetë përherë vigjilent, përherë serioz, i përsosur. E brendshmja, instinkti vazhdimisht duhet të luftohen, sepse aty është burimi i të pamoralshmes. Epshet e çnjerëzojnë besimtarin, prandaj ai duhet t’i nënshtrohet doktrinës fetare e cila predikon se si njeriu duhet t’i suspendojë ato, e meqenëse, natyra njerëzore e pamundëson, atëherë ai duhet t’i ndrydhë epshet e tij vazhdimisht. Kjo është një luftë permanente e besimtarit me natyrën e tij. Ç’është e vërteta kjo nuk u ndodh vetëm besimtarëve religjiozë, të tillë ishin/janë edhe ata që ndjekin ideologji të caktuara politike dogmatike. Komunizmi kërkonte nga njeriu proletar që gjithë energjia e tij e brendshme të shpenzohej për të mirën e përgjithshme. Ose nacionalizmi që kërkon, thërret në ruajtjen e pastërtisë së gjakut duke e përbaltur tjetrin. Pra, sikur ideologjitë religjioze, edhe ato politike janë në luftë të përhershme me natyrën e brendshme të njeriut, sepse konsiderojnë se aty është fara e mosbindjes, aty banon e keqja.

Lexo Edhe:

Mirëpo, kur e pyesnin Demokritin: Si e mëson ti të vërtetën, ai përgjigjej: Unë qesh. Pse qesh? Sepse kam mësuar të vërtetën (Victor Hugo). Pra, e qeshura zbulon shumëçka, sepse është e çliruar nga rregulli. Ajo nuk i nënshtrohet diktatit, prandaj, edhe përndiqet duke u shpallur herë si e çmendur, herë si e pakuptueshme, e asnjëherë e denjë për t’u marrë seriozisht. E qeshura si pjesë inherente të saj ka dyshimin dhe dyshimi është armiku kryesor i ideologjive. Dyshimi i ngjan krimbit në një mollë të kuqe. Të gjithë e shihnin se mbreti ishte cullak, por askush nuk kishte guxim t’ia thoshte, mirëpo, kur një fëmijë bërtiti mbreti cullak, aty filloi e qeshura, sepse sipas Demokritit ata e mësuan të vërtetën. Nuk thuhet kot se fëmija është artist ose një artist i mirë është gjithmonë një fëmijë. Arti kjo shprehje kaq fisnike, historikisht është ballafaquar me histerinë e këtyre ideologjive. Ideologjitë religjioze e përgatisin njeriun e kësaj bote për një botë tjetër, të përtejme, kurse ideologjitë dogmatike politike e shtetërore mundohen ta përsosin njeriun dhe botën në të cilën jetojmë. Të parët e demonizojnë jetën duke i dhënë përparësi amshimit, kurse të dytët e demonizojnë jetën duke i dhënë përparësi përsosmërisë së saj, ndërsa arti i cili nuk synon parajsën as këtu, e as atje, por përjetimin e çastit në plotninë e tij, është kripa në syrin e këtyre ideologjive. Pra, artisti me anë të shkathtësive dhe fuqisë së tij nxjerr artin nga brendësia shpirtërore dhe e vë atë në skenë pa ndjerë nevojën e përjetësisë, por që vetë të jetë brenda një çasti, sepse ai artin e përdor në frymën e jetës, kurse jetën në frymë artistike. Arti nuk është i prirë të shpallë manifeste që na tregojnë rrugë lineare drejtë parajsës, as se si duhet vdekur (siç bëjnë ideologjitë e ndryshme) që të përjetësohemi. Arti nuk ka qenë dhe nuk është njëdimensional, përmes tij nuk jepen rrugë se kah duhet ecur njeriu, shoqëria, apo njerëzimi, dhe kjo ndodh sepse arti nuk ndërton idhuj, nuk ndërton parajsa, në fakt arti na çmagjeps nga idhujtaritë, çmagjepsje kjo që shpeshherë artit i ka kushtuar me linçim, kurse artistit edhe me kokën e tij. Sa më shumë art aq më shumë të vërteta. Sa më shumë të vërteta aq më shumë mendime, kurse sa më shumë mendime, më pak heronj.