Zori i bashkon - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

15/05/2020 14:45

Zori i bashkon

OP/ED

Gazeta Express

15/05/2020 14:45

Duhesh të jesh në një zor të madh që të refuzosh rilegjitimimin e fuqisë politike në zgjedhje të reja dhe të krijosh një qeveri me parti që i ke akuzuar për keqqeverisje, madje i ke cilësuar “grupe kriminale”. LDK’në, me një pjesë të PAN’it, bashkë i bën frika, zori, e jo kauzat të cilat i trumbeton.

Imer Mushkolaj

Kur në fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit LDK kërkonte votën e qytetarëve për të luftuar, siç thoshte, të keqen, pakkush mund ta ketë menduar se pak muaj mbrapa do të planifikonte koalicion qeverisës me një pjesë të kësaj të keqeje. LDK fliste për “koalicion të shpresës” bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje, koalicion ky që nuk zgjati më shumë se 50 ditë, respektivisht më pak se koha që të dy partitë e harxhuan për t’u marrë vesh që të bashkëqeverisin. LDK ndërmori nismën për mocion mosbesimi, që rezultoi me rënien e qeverisë, në të cilën bën pjesë ende.

Arsyet që u dhanë kishin të bënin me, siç pretendon LDK, prishjen e raporteve me SHBA’të dhe mosrespektimin e marrëveshjes së koalicionit.

Mund të qëndrojnë arsyet e LDK’së, ashtu siç mund edhe të kundërshtohen nga ish-partneri qeverisës. Por, përtej fajësimit të njëri-tjetrit për situatën e krijuar, interesante është se si LDK tash po pretendon t’i riparojë dëmet e shkaktuara nga VV në raport me SHBA’të dhe të çojë përprara reformat, në koalicion me një pjesë të së keqes, siç e kishte denoncuar vite me radhë.

LDK ka arritur marrëveshje me AAK’në e Nismën Socialdemokrate, parti ndaj të cilave nuk ka reshtur akuzat për korrupsion e keqqeverisje. Madje, ministri i LDK’së në qeverinë në detyrë ka anuluar, siç është thënë, kontrata të dëmshme milionëshe të paraardhësit të tij nga radhët e AAK’së.

LDK e ka për borxh t’ua sqarojë të paktën votuesve të vet se si erdhi puna që votën ua mori me tjetër kauzë dhe tash po dëshiron të qeverisë me parti që u ndëshkuan në zgjedhje. E ka për borxh të sqarojë se si po dëshiron të krijojë një qeveri të re, pa shkuar në zgjedhje dhe pa e rikonfirmuar mbështetjen, të cilën e mori me Vjosa Osmanin kandidate për kryeministre.

* * *

Partitë që ishin në koalicionin e kaluar qeverisës vazhdojnë ta akuzojnë çdo ditë Qeverinë Kurti për, siç thonë ato, të këqijat që ia solli vendit gjatë kohës së shkurtër në qeverisje. Vazhdojnë t’i kritikojnë veprimet dhe vendimet e qeverisë. Por, përtej të drejtës legjitime që kanë për të kritikuar, nuk duhet harruar se është frika e të mbeturit në opozitë, është frika e veprimeve dhe vendimeve për bëmat e tyre që i bën ato bashkë. Madje edhe vetë LDK, respektivisht njerëzit e rëndësishëm të saj, duket se iu frikësohen veprimeve që synojnë të sjellin rend e rregull në institucione, për ç’kauzë edhe u pajtuan me VV’në që të bashkëqeverisin.

Ndërhyrja në bordet e ndërmarrjeve publike dhe jo vetëm sikur i alarmoi këto parti se rreziku i lëkundjes së themeleeve të nepotizmit dhe emërimeve partiake ishte i madh. Është e vërtetë se VV zgjodhi në këto borde edhe anëtarë të vet dhe këtë duhet përmendur të gjithë, sepse vetë VV

kishte vendosur standardin e mosemërimit të njerëzve me libreza partiake nëpër borde. Por është, po ashtu, e vërtetë se bordet e ndërmarrjeve publike, ndër të cilat edhe aso buzë falimentimi, ishin dhe vazhdojnë të jenë të mbushura me njerëz të emëruar nga partitë, të cilët janë aty për të mbrojtur interesa partiake, e jo të kompanive nga të cilat paguhen.

Kur në fushatën zgjedhore përmendej “koalicioni i shpresës”, dilema kryesore kishte të bënte me LDK’në, një parti e cila thuajse vazhdimisht ka qenë në pushtet, por përpiqej të shfaqej si parti e pastër dhe që do ta shpëtonte vendin. Këtë në njëfarë mënyre e ariti nëpërmjet figurës së Vjosa Osmanit, por e “lëshoi bajrakun” me vendimin për prishjen e koaliconit dhe përpjekjet për krijimin e një qeverie tjetër bashkë me një pjesë të PAN’it.

Nëse PAN’i ka qenë koalicion i keq e korruptiv, nëse sipas zyrtarëve të LDK’së partitë e PAN’it janë “grupe kriminale”, atëherë si t’i besohet LDK’së se do të qeverisë mirë e si duhet?

* * *

Sikurse edhe partitë tjera që kanë qenë në pushtet, edhe LDK ka interesat e veta. Madje shumë interesa, të cilat duhet t’i mbrojë qoftë edhe me çmimin e mosrespektimit të votës së elektoratit të vet dhe krijimit të një koalicioni me “partitë e së keqes”.

Njerëzit e rëndësishëm të LDK’së, ata që nuk kanë marrë asnjë votë në zgjedhje, kanë zgjedhur të provojnë së krijuari një qeveri të re jo pse vërtet besojnë se do të mund ta çojnë përpara agjendën shtetërore dhe të mirëqeverisin (tekefundit, si mund të qeveriset mirë në koalicion me “grupet kriminale”?), por me qëllimin që të ruajnë veten dhe të vetët nga forca e ligjit. Ndryshe nuk ka kurrfarë logjike që LDK të insistojë në një koalicion të tillë.

Po të ishte parti institucionaliste, çfarë pretendon se është, atëherë LDK do të duhej të kërkonte zgjedhje të reja, për të rilegjitimuar mbështetjen në elektorat, ashtu siç po kërkojnë VV e PDK, e jo të përpiqet që synimin ta arrijë nëpërmjet gjimnastikave politike të dyshimta. LDK’në, me një pjesë të PAN’it, bashkë i bën frika, zori, e jo kauza për shtetndërtim. Se çfarë shteti është ndërtuar gjatë gjithë këtyre viteve, qytetarët e jetojnë çdo ditë dhe në të LDK e ka pjesëne vet shumë të madhe të përgjegjësisë.