Shkruan: Arben Malaj
“Z. Gorbaçov, rrëzoheni këtë mur!” – ishte thirrja që Presidenti Ronald Reagan, më 12 qershor 1987, i drejtoi liderit sovjetik përballë Murit të Berlinit. Më 9 nëntor 1989, pas 28 vitesh ndarjeje të dhunshme, muri nderuar në 1961 u shemb. Bashkë me të ra edhe ndarja e Europës në perëndim dhe lindje. Por sot, 36 vjet më vonë, Europa gjendet sërish përballë një muri të padukshëm fizikisht, por diskriminues shpirtërisht. Nuk është mur betoni apo me tela me gjemba. Është një mur që për 75 vite mbahet në këmbë nga burokracia, hipokrizia dhe hezitimi i një pjese të lidershipit politik evropian. Ky mur ndan Europën gjeografike të Bashkimit Europian nga Europa jo pjesë e BE-së.
Ballkanin Perëndimor – rajoni që sipas Churchillit “prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë” vazhdon për 75 vite të mos jetë pjesë natyrale e BE-së. Historia na mëson se pjesët e paintegruara në NATO dhe BE mbeten përherë të ekspozuara ndaj përplasjeve dhe prapaskenave gjeostrategjike. Këto tensione mund të rindezin me lehtësi konfliktet etnike dhe fetare. Rreziku është i prekshëm pikërisht në Ballkanin Perëndimor, ku Serbia po armatoset si për skenarë lufte. Jo rastësisht, kancelari gjerman Otto von Bismarck paralajmëronte se, “nëse ndonjëherë do të shpërthente një luftë në Europë, ajo do të vinte për shkak të ndonjë budallallëku në Ballkan”. Ndërsa Lenini më 1914 e konsideronte Ballkanin një fuçi baruti, që mund të shpërthente nga një shkëndijë e vetme. Pas luftës në Ukrainë, pa qartësitë dhe pasiguritë e rritura janë ushqimi më i mirë që u ofrohen nacionalistëve dhe ekstremistëve.
Ky mur ndarës dhe varfërues që vazhdon në shekullin e XXI të ndajë të rinjtë me “pasaportë evropiane” nga ata pa të duhet të ishte shembur dekada më parë. Studentët emigrantë nga Ballkani Perëndimor me pasaportë BE-je gëzojnë mirë-arsim cilësor me kosto minimale dhe të drejtën e punësimit në BE. Ndërsa për vëllezërit dhe motrat e tyre pa pasaportë të vendeve të BEsë, që klasifikohen “studentë të huaj” kriteret dhe kostot janë të papërballueshme për familjet e tyre të varfra. Investimi ynë për të diplomuar në STEM, përthithet falas nga vendet e zhvilluara. Pa një cilësi më të mirë të kapitalit human dhe social, vendet tona nuk mund ta këpusin zinxhirin e trashëgimit të varfërisë. Edhe fermerët përballen me konkurrencë të padrejtë. Fondet e BE-së për bujqësinë janë të ngrira nga korrupsioni qeveritarë epidemik. Penalizimi i fermerëve rrit braktisjen e zonave rurale, thellon deficitin demografik dhe rrit papunësinë strukturore. Subvencionet bujqësore direkte dhe indirekte të vendeve të BE-së si edhe fondet nga Politikat e Përbashkëta Bujqësore/CAP për fermerët e tyre, dëmtojnë konkurrencën e ndershme dhe e varfërojnë më tej Ballkanin Perëndimor.
Zonja Presidente, pengesë për rrëzimin e këtij muri ndarës nuk janë kostot financiare, por mungesa – qoftë edhe e përkohshme – e një lidershipi vizionar dhe vendimmarrës. Për ne, Evropa nuk është një destinacion dhe aq më pak një bankomat. Ajo është një dritë shprese për një të ardhme pa konflikte, me paqe të qëndrueshme dhe mirëqenie përherë në rritje. Zgjerimi nuk është më vetëm një opsion politike, por është një domosdoshmëri edhe gjeopolitike e gjeostrategjike. Studiuesit Beyer, Li dhe Weber më 2025 vërtetojnë se pas dy dekadash 2004-2024, GDP për frymë në vendet e reja anëtare është 30% më e lartë sesa do të ishte pa anëtarësim. Vendet e BE-së gjithashtu kanë përfituar nga zgjerimi, një rritje për frymë 10% më të lartë. Ballkani Perëndimor është lënë jashtë BE-së, për shkak të krizave politike brenda vetë BE-së. Politika e “shkopit dhe karotës” ka dështuar. Nuk duhet harruar se thëngjijtë e luftërave etnike dhe fetare në Ballkan nuk janë shuar kurrë. Masakra e Srebrenicës në Bosnje, ku u vranë mbi 8.000 myslimanë është kambanë e rëndë. Ballkani Perëndimor nuk është barrë, por një potencial i madh, për stabilitet, sigurinë dhe vetë të ardhmen e BE-së.
Shqiptarët nuk ëndërrojnë për “Shqipërinë e Madhe”, por mbeten të inspiruar në shekuj për një Europë të madhe në vlera humane. Mungesa deri më sot e një ndjese publike nga lidershipi evropian për copëtimin e përgjakshëm të Shqipërisë më 1913 mbetet njollë në historinë e saj. Masakra e grekëve ndaj popullsisë çame dhe përzënia e tyre nga tokat dhe pronat e tyre është shpesh justifikuar me lidhjen e supozuar të popullsisë çame me nazistët. Por kurrë mund të ketë një popull të tërë armik. Nuk mund të ketë në 2025 një ligj lufte midis dy fqinjëve europianë. Hapi i parë për rrëzimin e këtij muri është një ndjesë publike nga lidershipi grek pro europian, për masakrën ndaj popullsisë çame në 1945. Ajo është e domosdoshme dhe e dobishme edhe për vetë Greqinë, djepin e demokracisë që nga lashtësia. As Shqipëria dhe as popullsia çame nuk kërkojnë ndryshim kufijsh, por vetëm reciprocitet në dinjitet, drejtësi dhe të drejtën për popullsinë çame sipas të gjitha konventave ndërkombëtare, që të gëzojnë lirshëm pronat dhe pasuritë e tyre në Greqi, siç i gëzon komuniteti minoritar greke urrë-ndërtues për paqen dhe harmoninë fetare dhe etnike në Shqipëri.
Zonja Presidente, ju sapo keni nisur mandatin e dytë. Zgjerimi nuk është më çështje burokratike, por një provë e karakterit të lidershipit europian. Ballkani Perëndimor është pjesë natyrore e Europës. Ballkani Perëndimor mund të jetë ura e paqes dhe prosperiteti dhe jo vatra e flakëve të pashuara të konflikteve etnike dhe fetare.
Rrëzojeni këtë mur, Zonja Presidente! Rrëzoheni murin ndarës midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor! Muri Berlinit mbijetoi vetëm 28 vite, muri varfëronjës midis Europës, pjesë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor i “mallkuar” në konfliktet dhe varfrin e tij ka mbi 75 vite.
Rrëzojeni zonja Presidente këtë mur, sepse një Europë e lirë e shpresës dhe prosperiteti që nuk është për të gjithë europianët, nuk është një Europë e vlerave të baballarëve themelues – por një fortesë frike dhe egoizmi e një pjese të lidershipit aktual.
Rrëzojeni këtë mur zonja Presidente dhe ndërtoni ura për të ardhmen e përbashkët të një Europe sërish të madhe, në vlerat, arritjet dhe kontributet e spikatura për popujt e saj, por edhe në sfidat gjeopolitike dhe gjeostrategjike.
* Ish-Kryetar i Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Parlamentin Europian. Studiues i integrimit europian në “Kennedy School of Government”, Universiteti i Harvardit (2005–2006); lektor për integrimin europian prej vitit 2004