Zonë e kontaminuar: Do not enter! - Gazeta Express
string(31) "zone-e-kontaminuar-do-not-enter"

Gazeta Express

16/03/2020 16:07

Zonë e kontaminuar: Do not enter!

Gazeta Express

16/03/2020 16:07

Të menduarit e sëmundjës – më tepër se sa vetë dergja – nami i saj i frikshëm, ua shton vuajtjet të sëmurëve

Shkruan: Halil Matoshi

Lexo Edhe:

Kosova po përballet me CoronaVirusin, (një sëmundje ngjitëse që u përhap nga provinca kineze Wuhan, duke u rritë në Pandemi)

Poashtu edhe Kosova nuk bën përjashtom për nga masat e shtetrrethimit, pra me gjendje të jashtëzakonshme, (që burimin e ka tek Revolucioni Francez) paradoksalisht, si mekanizëm i përbrendësuar kushtetues, por që rri pezull dhe jashtë rendit juridik.

Intenca e vrasjës së tjetrit, për t’i kriju vetit hapësirë për jetë, nuk është vetëm mit i ritualeve antike, të popujve barbarë, por nē format e veta më atipike për etnopsikologiinē e shqiptarëve, po shfaqet edhe sot ndër ne, si dëshirë e fshehur, që dikush e bë të zëshme.

Kjo intencë senicide, ndonëse jo e përhapur, po shfaqet si nënvetëdije. 

Ndjekës statistikash po thonë se CoronaVirusi po i sulmon kryesisht pleqtë dhe për këtë nuk qenka edhe aq i rrezikshëm!???

Të folurit me lehtësi të padurueshme për vdekjën e njeriut të moshuar, si diçka e padhembshme, nuk është hasë as në luftën e Kosovës, kur pleqtë i bartnin në shpinë apo me karroca, duke rreziku edhe vetën dhe nuk i linin nën këmbë të një armiku mizor, siç ishte shteti serb.

Kjo ma kujtoi një nismë barbare të Qeverisë serbe të vitit 2004, kur agjensia italiane e lajmeve ANSA pati raportu nga Beogradi për një përpjekje për të inicu një ligj që kufizonte shpërndarjen falas të ilaçeve për shpëtimin e jetës së të moshuarve mbi të ‘60-at!? 

Kjo tendencë për ta përligjë patologjinë shoqërore, ishte përshkruar nga mediat opozitare serbe si një rast i “lapotit” që në Serbinë Lindore deri në fillimshekullin 20, ishte shndërru në ritual vrasjesh të prindërve, pas të korrave të varfëra të misrit!?

Po ashtu, në anën tjetër, duket se beteja për mbijetesë në hapësirat humane, po merr karakteristika të frikës nga kafshët, duke i paragjyku ato të fajshme, si përhapëse të mundshme të virusit dhe cënuese të habitatin tonë, pa pasur ende ndonjë studim!? 

Orientimi i luftës jashtë natyrës njerëzore, është po aq e mjerë, sa që mund të nxisë vrasje masive të kafshëve.

Ishte e pështirë sëfundi, një video virale, ku shihej një qen të cilit i ishte dhënë flaka nga fëmijë keqbërës dhe veaponte i lemërisur. Kjo lidhej me një deklaratë aksidentale të Ministrit të Shëndetësisë, Arbën Vitia, i cili, në kontekst të parandalimit të CoronaVirusit, kishte bërë thirrje për largimin e kafshëve!?

Normat politike dhe urdhërat biblikë

Në kontekst të gjendjës së pashpallur të jashtëzakonshme, (mars, 2020) dhe të shtetrrethimit apo Karantinimit për ta luftuar CoronaVirusin, përderisa burimisht luftën kundër sëmundjes e bënte mjeku, (përgjatë shekujve kur kishin pllakosur epidemitë si murtaja apo kolera e malarja) tani këtë luftë e bën tërë shoqëria, mobilizimi i shoqërisë bëhet si me urdhër ushtarak. 

Pushteti nepërmhet medias, po e ushtron fuqinë e përmasave religjioze, që me paradigmën e Tanatos-it ta ndalë Erosin, me vdekjen ta frenojë jetën!

Mbetët që të shihen pasojat e modelit britanik, që preferon kujdes të rritur por jo distancë sociale.

Në kontekstin kosovar, duhet të dëgjohen profesionistët dhe të ndiqet instinkti!?

Larja e duarve është shndërruar në urdhër shtetëror (kryeministri e thotë sa herë del para mediave?) si dëshmi se urdhëri politik po e zëvendëson një nga urdhërat biblikë!

Dhe, qytetari do të ketë kohë të meditojë përgjat izolimit: Përse Turner e pikturoi Pons Pilatin pas një krimi (?) duke i larë duart!?

Për të mos u infektu apo për të dëshmu pafajësi!?

Zoti arbitrarisht e ka ndëshkuar Adamin dhe Evën duke i përzënë nga kopshti i Edenit, sepse hëngren një fryt të ndaluar. 

Nga qasja liberale shtrohet dilema përse nuk ishte bërë ndonjë paralajmërim apo përse nuk ishte rrethuar vendi ku ndodhej ajo mollë mëkatnore, në Eden, siç rrethohen sot zonat e minuara ose të kontaminuara, që situata të mos eskalonte në mëkatin fillestar!?

Njeriu ‘u ndot’ dhe i hedhun në botë, mbeti i trishtuar dhe i vetmuar.

Zoti pastaj ndëshkoi njerëzimin me “shpirtëzimin me djallin” (Lufta e shenjtë kundër shtrigave), me mortajën etj. duke e lënë përjetësisht në makthin e frikës nga vdekja.

Shoqëria gjeti metaforat për sëmundjen, për ta luftuar atë përmes demonizimit  (luftimin e saj përmes mobilizimit dhe kontekstualizimit të saj me gjendjen në shoqëri) dhe stigmatizimit të  viktimës, qytetarit.

Në kohën tonë, fillimisht epidemitë nga tuberkulozi te kanceri, si armiq të brendshëm, nga sifilisi deri te AIDS-i si armiq të jashtëm, janë sëmundjet për të cilat shoqëria ka metaforat e saja, që shkrimtarja Suzan Sontag, në librin e mrekullueshëm “ Sëmundja si metaforë” i quan “metafora ushtarake”.

Ndjenja e fajit për “vrasjen e Zotit” ka krijuar kulturën e frikës, në Perëndim dhe stigma bie rëndom tek të tjerët, nga frika parake se do të bëhemi si ata, se do të jemi ne të shtypurit, qytetarë të rendit të dytë; se do “të ndotemi” (AIDS), se do të infektohemi si ata (epoka e CoronaVirusit);

Paligjmëni kushtetuese!?

Për Primo Levin, (autorin e librit “A është vallë njeri”) njeriu në jetën e zhveshur – në Kampet naciste të Përqëndrimit- është njeri pa kufizime, sëkëndejmi pa imperativë moralë.

Në anën tjetër, shumë shtete demokratike (përfshi Kosovën) e kanë në Kushtetutat e tyre ‘gjendjen e jashtëzakonshme’ si normë që e përjashton sistemin juridik.

Dihotomi, madje paradoks mbretëron edhe në Kushtetutën gjermane, e cila legalizon gjendjen e jashtëzakonshme, njëherësh me Nenin 20 legalizon edhe të drejtën e rezistencës kundër kujtdo që orvatet ta rrëzojë vendin, Kushtetutën demokratike.

Gjendja kushtetuese e jashtëzakonshme nuk është asgjë tjetër pos kamp i përqëndrimit qëllimmirë, por në thelb mjet jo juridik.

Në kohën kur pandemia e shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka shtri pushtetin e saj edhe në Kosovë, edhe dilemat etike po shtohen. 

Qytetarët tanë, shtetas të vendeve tjera ose që punojnë jashtë vendit (veçmas Itali) po stigmatizohen përse janë kthyër edhe pse këtë e kanë bërë në mënyrë legale!?

Sipas filozofit italian Giorgio Agamben, hapësira për jetë të zhveshur ose biopolitika – është shndërru në nomos të ri të planetit.

Që prej viteve ’60-të, ‘jashtëligjësime’, të tilla sikur strukturat për ‘jetë të zhveshur’, janë dobësuar derisa, në fund, skenat seksuale, dhuna, blasfemia – duke zemëruar një pjesë njerëzish – u toleruan si pjesë e një bote të iluminuar. 

”Apo kështu na u duk?” – pyet Dahrendorf. “Më të vërtetë nuk ka caqe? Jashtë Europës, prirja “çdo gjë pranohet” kurrë nuk u pranua plotësisht. Dhe caqet u ruajtën, madje edhe në Europë”- thotë ai.

Giorgio Agamben shkruan se Primo Levi na ka treguar se si turpërohemi sot që jemi njerëz, e durojmë marren me të cilën secili prej nesh në një mënyrë jemi të njollosur. Kjo ishte –  dhe është edhe sot – turpi nga ekzistenca e llogorit- turpi që nuk ka guxuar të ndodhte ajo që ka ndodhur. Turpi i tillë është dëshmuar sot përjetohet para vulgaritetit të madh të të menduarit, para emisioneve të caktuara televizive, para fytyrave të moderatorëve televizivë, para të qeshurës nga vetëbesimi i “ekspertëve” të cilët kompetencat e tyre ia ofrojnë lojës politike të mediave. Sipas Agamben-it ne nuk jemi më të aftë për ta bërë dallimin e qartë ndërmjet zoe dhe bios, jetēs natyrore dhe politike të njeriut, që e ka vendin në shtëpi, dhe njeriun si subjekt politik vendi i të cilit do të duhej të ishte në polis?

Ne jemi, siç ka shkruar Michel Foucault, kafshë në të cilat politika sjell në pikëpyetje edhe vetë jetën tonë si qenie të gjalla.

Përdorimi i sëmundjës si metaforë

Suzan Sontag shkruante se sëmundja është ana e errët e jetës, qytetaria më e rëndë e saj. Të gjithë ata që kanë lindur, sipas saj, kanë qytetari të dyfishtë – atë të mbretërisë se të shëndoshëve dhe atë të mbretërisë së të sëmurëve…

Sipas kësaj autoreje, dy janë sëmundjet që në mënyrë dramatike njësoj të ngjashme, kanë qenë të ngarkuara me barrën e metaforës: tuberkulozi dhe kanceri. Kuptimi i sëmundjes si shpërbërës i njeriut dhe qytetërimit e ka preokupu edhe Nietzche-n, i cili në “Vullnetin për pushtet”, përmend dobësinë individuale, shterimin kultural ose rënien shpirtërore, me gjasë duke e kundru nga perspektiva e klishesë që burimin e ka te tuberkulozi.

Sontag, e kontekstualizuar në epokën e CoronaVirusit, kur flet për tuberkulozin dhe çmendjën, përmend të përbashkëten e tyre: Izolimin. Të sëmurët i mbyllin në “sanatoriume” si eufemizmi më i përhapur për çmendinën.

Poashtu, si tuberkulozi, edhe çmendia është njëfarë mërgimi. Azili.

Dhe izolimi ose distanca sociale, në kushtet e sotshme, nuk do të kalojë pa pasoja mentale, me mundësi te shkaktimit të shokut psiqik.

Duhet përnendur shkarazj faktin se shqiotarët e Kosovës, kanë qenë subjekte të një gjendje tjetër paligjësie shoqërore të mbiquajtur ‘IZOLIM’ si masë parandalimi – masë e kombinuar politike/policore jo kundër një epidemie siç ishte Variola Vera, në vitet ‘70-a të shekullut 20, por kundër përhapjës së idesë politike, idesë së rezistencës politike.

Si masë joburgore ndëshkuese, izolimin e qytetarëve shqiptarë të Kosovës, më 1989, edhe juristët serbë kurrë nuk arritën ta justifikojnë si normë kushtetuese. 

Kjo masë mbeti sikur edhe spastrimi etnik, prodhim i mendjës së instrumentalizuar nga fashizmi serb, me qëllim etnocidin.

Armiku i brendshëm (Kanceri) dhe ai i jashtëm (AIDS ose CoronaVirusi)

Përderisa sëmundja e Tuberkulozit është mundur në shumicën e shoqërive moderne (ose është heshtur?) kohë pas kohe shfaqen vurusë vrasës të njerëzimit, që mund të jenë të origjinës artificiale!?

Sipas Sontag, metafora shpreh mënyrën sesi sëmundje shumë të frikshme shikohen si “tjetri”, i huaji, siç është armiku në një luftë moderne, e kalimi nga demonizimi i sëmundjes te fajësimi i të sëmurit është i pashmangshëm, pavarësisht a shikohen të sëmurit si viktima. 

Sontag pretendon se të sëmurët duhet të ndihmohen që ta shmangin të menduarit për sëmundjën si të tillë, për namin e saj të keq, për ta qetësu imagjinatën e të sëmurit që të mos vuajë, sa ka vuajtur deri tani. 

Tuberkulozi, pra “pushtimi” ka pushu, fundja më nuk llogaritet ndër sëmundjet “serioze”, pra është vetëm referencë për një sëmundje “historike”. “

Mirëpo kanceri është ende enigmë dhe kancerozët stigmatizohen, (ende nuk i thuhet pacientit e vërteta, por ajo bëhet tërthorazi, përmes familjes) kurse SIDA përdoret më së tepermi me mesazhin e fshehur politik, pra për të flitet me metafora ushtarake, si “agjent i huaj” ose “armik i jashtëm”.

Sontag, duke shpjeguar në kuptimin e ngushtë të fjalës, AIDS – in, si sindrom të fituar i mungesës së imunitetit – konkludon se termi nuk është fare emri i një sëmundjeje. Është emri i një gjendjeje mjekësore, siç nuk është postmoderna emërtim i një rryme në artet, por është emëri i një gjendjeje kulturore dhe artistike. 

AIDS ka një gjenealogji metaforike të dyfishtë. Si mikroproces, ajo përshkruhet si kanceri: pushtim. 

Kur bëhet fjalë për ngjitjen e sëmundjes, përmendet një metaforë më e vjetër që të kujton atë të sifilizit: ndotje. 

Megjithatë metaforat ushtarake që përdoren për të përshkruar AIDS-in, ndryshojnë disi nga ato që përdoren për të përshkruar kancerin. 

Metafora ushtarake për kancerin është “armiku i brendshëm” (qelizat e mbrapshta brenda trupit ndryshojnë, duke ikur nga vendi ose organi që zinin më parë për të pushtuar organe ose sisteme të tjera – pra një veprimtari armiqësore nga brenda. Në përshkrimin e AIDS-it, sëmundjen e shkakton një armik, një agjent infektues që futet “nga jashtë.” 

Në këtë nivel funksionon edhe vetëdija provinciale në shoqërinë shqiptare, sepse në një kuptim ideal, romantizohet e paromantizueshmja, pretendohet se ne jemi popull i pastër nga ndotja (harrohet sifilizi) kinse AIDS dhe CoronaVirusi (që ka pllakosë aktualisht) na vjen nga jashtë, si një thirrje e pavetëdijshme kundër lëvizjës së lirë, azilit, globalizimit, me një fjalë një lloj ksenofobie që lidhet me ardhjën e të huajve këtu te ne etj. si dhe kthimi i tanëve nga bota në shtëpi!?

Kjo është gjuha e paranojës politike, që shpreh mosbesimin që i karakterizon shoqëritë e mbyllura ndaj një bote pluraliste, të hapur dhe globalizuese.

Sëkëndejmi, pushteti politik sikur po u komunikon qytetarëve mandatën e një lufte të re e të madhe, se kundër këtyre “armiqëve”, pra të brendshmit dhe të jashtmit, duhet ndërmarr masa mbrojtëse, tamam ushtarake.

AIDS,  ja ky është armiku i jashtëm, dhe shoqëritë i shpallin luftë, si në mesjetë, bëhet mobilizimi i përgjithëshem në luftë kundër shtrigave, apo në Itali më 1920 në luftë kundër tuberkulozit, mobilizimi bëhej nën parullen “në luftë kundër mizave”. 

Ky mobilizim kundër CoronaVirusit, sot në shoqëritë e mbyllura, shndērrohet në luftë kundër qarkullimit të lirë të njerëzve, kundër shoqërisë së hapur dhe pluralizmit, kundër të huajve, duke i metaforizu termat e sëmundjes, që nënkuptojnë mobilizin, izolim, karantinim etj.

Po jetojmë në një epokë të çuditshme ex-juridike, pra në gjendje permanente të jashtëzakonshme, të ekspozuar biopolitikës, në vend se të jemi të mbrojtur nga kushtetutat tona!