ZKM ka njoftuar për takimin që kryeministri në detyrë Albin Kurti ka pasur me ministrin e jashtëm gjerman, Johann Wadephul.
Kurti ka thënë se “Gjermania ka qenë partnere e palëkundur e Kosovës edhe para pavarësisë sonë dhe bashkëpunimi ynë është i rrënjosur në vlera të përbashkëta dhe në një vizion të përbashkët për një Evropë të qëndrueshme, demokratike dhe të sigurt”.
“Ai theksoi se gjatë këtij mandati qeverisës kemi pasur rritje të qëndrueshme ekonomike, asnjë vit nën 4% të BPV-së, si dhe kemi forcuar demokracinë, përmirësuar sundimin e ligjit dhe kemi shënuar progres në luftën kundër korrupsionit, siç dëshmohet edhe nga raportet ndërkombëtare, të cilat tregojnë për përmirësim të vazhdueshëm të Kosovës në këto rrafshe. Kryeministri u shpreh se Republika e Kosovës është e vendosur dhe e përkushtuar të punojë bashkë me Gjermaninë për të thelluar raportet bilaterale dhe për të avancuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Me këtë rast, ai theksoi se Republika e Kosovës meriton që të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe që Komisioni Evropian duhet ta dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim. Gjatë takimit u diskutua edhe për rolin aktiv, kontributin e deritanishëm dhe potencialin e diasporës sonë në Gjermani në forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve përmes investimeve të huaja dhe të thellimit të lidhjeve ndërmjet popujve tanë”, thuhet në njoftimin e ZKM’së.
Po ashtu ata kanë biseduar për raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Ankesit të saj.
“Temë e diskutimit gjithashtu ishin raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimi i Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të saj. Kryeministri nënvizoi faktin se edhe më shumë se dy vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës, udhëheqësi i këtij grupi terrorist dhe paramilitar, Millan Radoiçiq, vazhdon të endet i lirë në Serbi dhe Beogradi zyrtar refuzon t’ia dorëzojë atë dhe grupin e tij Republikës së Kosovës, përkundër fakteve për përfshirjen e tij në sulm dhe aktakuzës së prokurorisë së Kosovës ndaj tij, ndërkohë që ai dhe grupi i tij vazhdojnë të paraqesin rrezik për sigurinë e vendit.”
Kurti e ka falënderuar Wadephul për vizitën e tij “për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhe për kontributin e Gjermanisë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë përmes trupave të saj në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR”.