ZKA: Mbi 490 mijë euro nuk u transferuan në klubet sportive nga kompanitë private si sponsorizim, ani pse u deklaruan në ATK - Gazeta Express
string(122) "zka-mbi-490-mije-euro-nuk-u-transferuan-ne-klubet-sportive-nga-kompanite-private-si-sponsorizim-ani-pse-u-deklaruan-ne-atk"

Sporte tjera

Gazeta Express

13/03/2024 13:18

ZKA: Mbi 490 mijë euro nuk u transferuan në klubet sportive nga kompanitë private si sponsorizim, ani pse u deklaruan në ATK

Sporte tjera

Gazeta Express

13/03/2024 13:18

“Aktivitetet e subvencionuara dhe sponsorizuara nga kompanitë private për sportin nuk i arrijnë qëllimet e tyre dhe nuk realizohen siç duhet”.

Ky është konkluzioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin e auditimit “Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit”.

Lexo Edhe:

Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme e shpalosi gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti përmes një konference për media.

Spanca tha që raporti konstatoi se mungojnë dëshmi që vërtetojnë se kontributet financiare kanë përmirësuar cilësinë e sportit.

Për më tepër, Spanca theksoi se lirimi prej 30% nga tatimi i kompanive që sponsorizojnë sportin ka rezultuar me shmangie tatimore.

Raporti tregon se mbi 490 mijë euro nuk janë transferuar fare tek klubet sportive si sponsorizim nga kompanitë private.“

Nga 45 mostrat e testuara kemi gjetur se mbi 490 mijë euro nuk janë transferuar fare tek klubet sportive si sponsorizim nga kompanitë private edhe pse në ATK kompanitë kishin raportuar se i kishin dhënë këto mjete për sponsorizim”- tha ajo.

Në raportin “Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit” thuhet se organizatat sportive përgjatë viteve 2020-2022 nuk kanë raportuar për shpenzimet e subvencioneve në vlerë prej 3.5 milionë euro të financuara nga MKRS.

“Për më shumë një nga organizatat joqeveritare përfituese të projektit “data baza sportive në Kosovë” nuk kanë dorëzuar produktin final për të cilin është paguar 121 mijë euro”- tha ndër të tjera Auditorja e Përgjithshme.

Spanca tha se në planin vjetor të ZKA-së janë përfshirë 123 institucione, 86 organizata buxhetore, 13 ndërmarrje publike, përfshirë edhe RTK-në dhe 16 auditime të performancës, 8 projekte të financuara nga Banka Botërore, shkruan Kallxo.com.

“Përveç auditimeve të detyrueshme të rregullsisë fokus i veçantë i është dhënë auditimeve në institucione dhe ndërmarrje publike të cilat që një kohë nuk janë audituar siç janë Trepça, KEK-u dhe KOSTT”- tha Spanca.

Auditorja e Përgjithshme tha se aktualisht janë në proces të punës në terren për të përmbushur planin vjetor ndërsa disa nga auditimet janë përfunduar e disa janë në përfundim e sipër.

Pesë raportet gjetjet e të cilave i shpalosi sot Auditorja e Përgjithshme janë në lidhje me “Menaxhimi i licencave në Komisionin e Pavarur për Media”; “Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit”; “Procesi i Dokumentimit, Vlerësimit dhe Verifikimit të Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale për vitin 2020”; “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”; si dhe “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”.