Vijon të jetë aktiv zjarri në malin e Shën Gjergjit në Dukat të Vlorës, duke rrezikuar Parkun Kombëtar të Llogarasë.
Për shkak të përhapjes së flakëve të zjarrit, është zgjeruar harta e sipërfaqes së shkrumbuar. Situata paraqitet e vështirë edhe për shkak të terrenit malor.
Dy helikopterë të emergjencave civile po ndihmojnë në shuarjen e flakëve, të cilat vijojnë të jenë aktive që prej 6 ditësh.
Në të gjithë vendin gjatë 24 orëve janë raportuar 34 vatra zjarri, por vetëm 8 prej tyre janë ende aktive dhe 3 në monitorim.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, situata më problematike është evidentuar në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër, Elbasan dhe Gjirokastër.
“Vijon të jetë aktive edhe vatra e zjarrit pranë Parkut Kombëtar të Lurës. Një tjetër vatër problematike është ajo në vendin e quajtur ‘Përroi i Zi’, ku pati një riaktivizim të fuqishëm të vatrës së zjarrit nga kufiri me Mirditën”, tha Eni Hotaj, AKMC.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar: 40 automjete zjarrfikëse, 776 forca operacionale nga strukturat vendore dhe qendrore.
Sipas IGJEO-s, sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në të gjitha qarqet./tvklan.al/