Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” ka bërë të ditur se intervenimi i KFOR-it me helikopter në zonën e Prevallës ka ndikuar që pjesa dërrmuese e zjarreve të shuhet.
Në njoftimin e tyre në rrjetin social Facebook thuhet se disa vatra zjarri janë aktive në territorin e Komunës së Shtërpcës.
“Pas intervenimit të KFOR-it nga ajri me anë të helikopterëve janë shuar rreth 70% e vatrave të zjarreve në Oshlak dhe Maja e Arnenit. Ndërsa, disa vatra zjarri janë ende aktive dhe kanë kaluar në territorin e Shtërpcës. Përgjatë fshatit turistik të Prevallës është krijuar brezi ndarës me anë të bagerit”, thuhet në njoftim.
Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” ka njoftuar se së bashku me të gjithë akterët relevant me ditë të tëra kanë qenë në terren, duke bërë përpjekje për vënien nën kontroll të vatrave të zjarreve.
“Qysh në ditët e para të vatrave të zjarrit duke e ditur konfiguracionin e terrenit kishim kërkuar ndërhyrje nga ajri me helikopter”, thuhet në njoftim.
DAPK “Sharri” ka theksuar se aktualisht stafi i tij bashkë me të gjithë akterët relevant në terren janë në përcjellje të situatës.
Njëherësh është shprehur mirënjohja për intervenimin e KFOR-it por edhe kontributin e të gjithë akterëve për menaxhimin dhe shuarjen e zjarreve.