Një zjarr i madh në Lipjan ka përfshirë një depo dhe zyrat qendrore të një rrjeti të supermarketeve.
Nga zjarri nuk raportohet për persona të lënduar nga radhët e civilëve, por megjithatë një zjarrëfikës është dërguar në emergjencë për trajtim mjekësor pasi pas intervenimit i është përkeqësuar gjendja.
Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Genc Metaj për KosovaPress tha se zjarri është lokalizuar dhe se nuk ka viktima në njerëz.
“Informacioni është marr prej qytetarëve, kanë intervenuar të parët njësia e Lipjanit. Përmes qendrës së Agjencisë të Menaxhimit të Emergjencave është kërkuar ndihmë, ka ardh në ndihmë Prishtina nga Shtimja dhe Ferizaj. Çka është më e rëndësishme është që njerëz nuk ka të lënduar, për momentin e kemi një zjarrfikës që i është përkeqësuar gjendja, i cili është dërgu në Qendrën Emergjente. Ajo çka dihet deri më tani është që objektet përreth janë shpëtu.Zjarrfikësit kanë intervenuar në mënyrën më të mirë, gjithashtu e kanë shuar zjarrin nga ana e shtëpive. Zjarri është i lokalizuar, mirëpo për me u shpëtu komplet ka qenë e pamundur përshkak se ka materie shumë ndezëse”, tha ai.
Sadri Shamolli, komandat i zjarrfikësve të Lipjanit tha se informata për zjarr erdhi në orën 16:20, teksa ekipi kujdestar doli menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Informatën e kemi marrë në 16:20, ekipi kujdestar ka dalur në vendin e ngjarjes, ka arritur për pak minuta falë afërsisë me objektin e zjarrfikësve. Ka qenë e pamundur për të bërë diçka brenda objektit të kompanisë, përveç objekteve përreth që kemi arritur me i shpëtu. Nuk kemi lejuar që zjarri të shpërndahet në objekte të tjera, për fat të keq një koleg e kemi të lënduar, por kemi marrur informata që gjendja e tij është e mirë”, tha ai.
Ende nuk dihet shkaku i shpërthimit të zjarrit dhe as shuma e dëmeve materiale që janë shkaktuar.