Zjarri në landfillin e Elbasanit, dezinformimi dhe përplasje politike në seancën e fundit të legjislaturës së 10-të - Gazeta Express
string(114) "zjarri-ne-landfillin-e-elbasanit-dezinformimi-dhe-perplasje-politike-ne-seancen-e-fundit-te-legjislatures-se-10-te"

Shqiperi

Gazeta Express

03/07/2025 12:50

Zjarri në landfillin e Elbasanit, dezinformimi dhe përplasje politike në seancën e fundit të legjislaturës së 10-të

Shqiperi

Gazeta Express

03/07/2025 12:50

Seanca e fundit e legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Shqipërisë nisi me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ku u diskutua për çështje të rëndësishme si zjarri në landfillin e Elbasanit, raporti vjetor i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE), Strategjia Kombëtare kundër Dezinformimit dhe zgjedhjet e 11 majit.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku kërkoi përgjegjësi për katastrofën mjedisore në Elbasan. Ajo kritikoi gjithashtu mungesën e një procesi gjithëpërfshirës integrues, duke thënë: “Në këtë legjislaturë kemi dështuar, për t’u ngritur mbi llogoret dhe interesat politike që kishte maxhoranca me çdo ligj ne debat në Komisione… Integrim vetëm në letra nuk i shërben askujt.”

Nga ana tjetër, deputeti socialist Toni Gogu u shpreh optimist për rrugën drejt BE-së: “Po të kthejmë kokën pas, jemi afër agimit të 2030, kur ky vend do të bëhet pjesë e familjes që i është mohuar prej shumë dekadash… Sot, integrimi europian është konsensusi më i madh kombëtar që ne kemi.”

Por debatet nuk u ndalën aty. Deputetja Ina Zhupa nga opozita sulmoi Strategjinë Kombëtare kundër Dezinformimit, duke e quajtur “paçavure” dhe akuzoi mazhorancën për synim kontrolli mediatik dhe përdorim të gazetarisë investigative për “prerjen e kokave” të kundërshtarëve politikë.

“Ky komision nisi dhe bitisi në një mënyrë të njëanshme… qëllim për të kontrolluar informacionin në media e për të ndërhyrë në atë që është pushtet i pavarur, pushtetin mediatik”, tha Zhupa.

Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin, deputeti socialist Erion Braçe, prezantoi raportin e punës dhe theksoi rëndësinë e strategjisë për parandalimin e ndërhyrjeve të huaja dhe sulmeve kibernetike.

“Dezinformimi, manipulimi i perceptimit të opinionit publik dhe depërtimi i interesave të huaja janë kthyer në mjete efektive të ndikimit politik dhe strategjik… Shqipëria është bërë objekt i vazhdueshëm i ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit, ndaj del nevoja për masat parandaluese”.

Në diskutimet për zgjedhjet e 11 majit, deputeti Toni Gogu iu përgjigj akuzave të opozitës duke ironizuar: “E vetmja vjedhje më 11 maj ishte ajo brenda kandidatëve të PD-së, që u vodhën edhe në Primaret… Kjo ishte paralajmëruar, në fillim do festojnë, pastaj do thonë na kanë vjedhur…”

Por deputetja Tabaku iu kundërpërgjigj.

“Mos shqetësohuni për opozitën, por për korrupsionin dhe mungesën e standardeve dhe zgjedhjeve farsë të 11 majit… Opozita e ka kryer detyrën e saj me përsosmëri. Nuk është bllokuar ky proces asnjëherë prej nesh, por prej jush.”