Rreziku nga zjarret në Gramsh është zhvendosur nga mbrëmja e kaluar në vatra të reja, duke përfshirë fshatin Ermenj, në Njësinë Administrative Skënderbegas, si dhe Teqen e Dushkut, ku raportohen disa vatra aktive. Për shkak të dendësisë së lartë të pyllit, ekipet e emergjencave civile po përballen me vështirësi të mëdha në izolimin e flakëve.
Aktualisht vazhdon të digjet pylli në pjesën e sipërme të fshatit ose krahu lindor. Nëse djegia vazhdon, ky zjarr kalon në territorin e Prefekturës Korçë.
Gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme dhe sot herët në mëngjes është punuar në pyllin me pisha që të çon në drejtim të fshatit Nartë, dhe deri tani është realizuar ndërprerja e vatrës në këtë drejtim.
Vatra e zjarrit në Njësinë Administrative Kukur vijon të mbetet problematike. Gjatë orëve të vona të natës, ekipet e emergjencës arritën të mbajnë nën kontroll një pjesë të saj, e cila rrezikonte përhapjen e flakëve në zona të tjera.
Ndërkohë, vatra në Njësinë Administrative Kodovjat është mbajtur nën monitorim dhe nuk janë shënuar riaktivizime gjatë orëve të fundit.
Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë djegur 42 banesa në Skënderbegas dhe fshatra të tjerë, si dhe 130 krerë bagëti të imta, 22 gjedhë, 1 thundrak, 80 koshere bletësh dhe shumë shpendë. Autoritetet kanë nisur procesin e groposjes së kafshëve të ngordhura për të shmangur rrezikun e shpërthimit të ndonjë epidemie, ndërsa shërbimi veterinar po kryen procesverbalet përkatëse.