Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi sot mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke e lidhur këtë me përkeqësimin e situatës nga zjarret, veçanërisht në Delvinë dhe Gramsh.
Thirrje të ngjashme kanë ardhur edhe nga përfaqësues të tjerë të opozitës.
Megjithatë, burime për Report Tv bëjnë të ditur se Këshilli i Sigurisë Kombëtare, i drejtuar nga Presidenti Bajram Begaj, nuk do të mblidhet në këto momente. Nga Presidenca saktësojnë se, në kushtet kur forcat janë të angazhuara në terren, prioritet mbetet ndihma direkte për të përmirësuar situatën.
Sipas të njëjtave burime, më herët është mbledhur Komiteti i Mbrojtjes Civile, nën udhëzimet e të cilit po veprohet dhe po menaxhohet situata.
Ky strukturë koordinon punën e të gjitha ekipeve të emergjencës, duke udhëhequr operacionet për kontrollin e flakëve dhe evakuimin e banorëve në zonat më të rrezikuara.
Autoritetet vijojnë apelimin për bashkëpunim dhe ndjekjen e udhëzimeve zyrtare, ndërsa frontet e zjarrit mbeten ende aktive në disa zona të vendit.