E përbashkëta e zjarreve në klubet e Koçanit, Bukureshtit dhe Kran-Montanës është se në të tria objektet ose nuk kanë ekzistuar, ose nuk janë respektuar protokollet për mbrojtje nga zjarri, deklaroi sot , sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Rumanisë dhe drejtor i Departamentit për Situata Emergjente. Ai, së bashku me një pjesë të ekipit të tij të shpëtimit, ndodhet për vizitë në Koçan dhe Shkup me ftesë të Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, për të ndarë përvojat lidhur me masat që janë ndërmarrë në vendin e tij pas zjarrit në klubin “Colectiv” në Bukuresht në vitin 2015, ku humbën jetën 64 persona.
“Në të tri rastet, zjarri u shkaktua nga mjetet piroteknike, ndërsa objektet ishin të veshura me materiale lehtësisht të djegshme, gjë që çoi në zjarr me numër të madh viktimash. Në Rumani aktualisht po punohet për një ligj me të cilin do të ndalohet çdo lloj mjeti piroteknik në kafene, bare dhe diskoteka”, tha Arafat, i cili atë mbrëmje ishte i pranishëm në vendngjarje gjatë shpëtimit dhe evakuimit të personave nga klubi në Bukuresht, dhe më pas u përfshi edhe në procesin e transportimit të pacientëve në vende të tjera dhe trajtimin e tyre të mëtejshëm mjekësor.
Ai bëri të ditur se, në rastin e zjarrit në Bukuresht, objekti kishte leje pune si kafene me kapacitet deri në 80 mysafirë, ndërsa natën e koncertit ndodheshin rreth 400 persona. Dalja ishte e mbyllur dhe një numër i madh njerëzish humbën jetën..
“Kur mbërrita në vendngjarje kishte 14 të vdekur. Kur përfundoi evakuimi dhe shpëtimi, numri i viktimave kishte arritur në 26, ndërsa një person vdiq gjatë transportit për në spital. Bukureshti, ndryshe nga Koçani dhe Kran-Montana, është një qytet i madh dhe ka më shumë ekipe të ndihmës së shpejtë, zjarrfikës dhe spitale. Në atë moment, në vendngjarje mbërritën shumë ekipe dhe zjarri u shua për 6 minuta”, tha Arafat
Ajo që ishte thelbësore në atë moment, sipas Arafatit, ishte që pacientët të dërgoheshin në spitale të ndryshme të Bukureshtit, sepse një spital i vetëm dhe Qendra për Djegie nuk mund të përballonin dhe të ofronin ndihmë mjekësore për një numër kaq të madh pacientësh njëkohësisht. Më pas, ishte e rëndësishme që pacientët të transportoheshin edhe në vende të tjera.
“Në atë kohë, Mekanizmi i BE-së për Mbrojtje Civile nuk i përfshinte katastrofat e tilla shëndetësore, ndaj u detyruam të arrinim marrëveshje bilaterale me shtetet anëtare të BE-së për transportimin e pacientëve. Pas zjarrit në Bukuresht, kjo ndryshoi dhe për këtë arsye, pas rastit në Koçan, mekanizmi i BE-së u aktivizua menjëherë dhe pacientët u dërguan për trajtim në vende të BE-së. Procesi i vendimmarrjes se cili pacient do të dërgohej jashtë vendit ishte shumë i vështirë. Prindërit dhe të afërmit ushtronin presion që fëmija i tyre të dërgohej jashtë. Mjekët shpjegonin se jo çdo pacient i intubuar mund të përballojë transportin ajror drejt një vendi tjetër. Megjithatë, për fat të keq, në disa raste u dorëzuam ndaj presionit të prindërve, gjë që nga perspektiva e sotme mendoj se nuk ishte e drejtë. Patëm një rast kur një pacient vdiq sapo avioni u ngrit, dhe avioni u detyrua të ulej për të lënë trupin e të ndjerit”, tha Arafat.
Trajtimi i pacientëve zgjati me vite. Edhe pas 10 vitesh vazhdonte procesi i shërimit dhe rehabilitimit psikologjik për disa prej tyre. Shteti, gjatë gjithë kohës, i mbuloi të gjitha shpenzimet e trajtimit.
Pas zjarrit në Koçan, Rumania dërgoi në Shkup avionin e saj “Spartan”, me të cilin mund të transportohen disa pacientë njëkohësisht. Me avionin rumun, të lënduarit nga Koçani u dërguan për trajtim në Lituani dhe Belgjikë. Avioni rumun u dërgua gjithashtu në Zvicër pas zjarrit në klubin e Kran-Montanës gjatë natës së Vitit të Ri për pritjen e vitit 2026, ku humbën jetën 41 persona, kryesisht të rinj.
Në zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, më 16 mars 2025, humbën jetën 63 persona, kryesisht të rinj, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën.
tag_katrorimaqedoni_2