Vatra e zjarrit e shfaqur një ditë më parë në pyllin me pisha të Pish Poros në njësinë administrative Novoselë të Vlorës vijon të jetë ende aktive.
Në krahasim me mbrëmjen e së hënës ku situata dukej serioze, këtë të marte edhe për shkak të rënies së intensitetit të erës situata duket më e stabilizuar.
Rreth orës 5:30 të mëngjesit ka nisur sërish puna e forcave zjarrfikëse për të shuar flakët, ndërkohë që operacionit i janë bashkuar edhe forcat e ushtrisë.
Momentalisht rreziku për banesat është shmangur. Por dëmi në brendësi të pyllit me pisha është i madh.
Ndërkohë një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ferra pranë zonës së banuar, në anë të superstradës Lezhë-Milot. Nga flakët rrezikohen banesa dhe një restorant dasmash. Forca të shumta zjarrfikëse janë angazhuar për shuarjen e flakëve, të cilat kanë dalë jashtë kontrolli.
Po ashtu, një zjarr ka rënë gjatë natës edhe në Bogovë të Skraparit. Në zonë shkuan forcat zjarrfikëse të Beratit, Poliçanit dhe Skraparit, forca të shumta policie, si dhe efektivë të forcave të armatosura, të cilët bënë të mundur lokalizimin e flakëve dhe vënien e tyre nën kontroll.