Zjarret masive që përfshinë Bashkitë Delvinë, Finiq dhe Gramsh kanë shkaktuar dëme kolosale, duke përfshirë një viktimë, shkatërrimin e shumë shtëpive dhe bizneseve, si dhe dëme të konsiderueshme në fermat bujqësore e blegtoriale. Sipas Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në fshatin Sirakat, Njësia Administrative Mesopotam, është raportuar djegia e një stalle me 4 viça dhe e dy parqeve me bletë.
Po ashtu, në Bashkinë Delvinë, ka dyshime për djegien e një ferme me 25 krerë të imta dhe 9 parqe bletësh. Në Gramsh, deri tani janë shkatërruar 42 banesa, 130 krerë bagëti të imta, 22 gjedhë, 80 koshere bletësh dhe një numër i konsiderueshëm shpendësh. Autoritetet janë angazhuar për groposjen e kafshëve të ngordhura për të parandaluar rrezikun e epidemive, ndërkohë që shërbimi veterinar ka përpiluar procesverbalet përkatëse.
Në Bashkinë Finiq, në fshatrat e Dhivër, janë dëmtuar kullota dhe ullishte, ndërsa fermat që rrezikonin mungesën e ushqimit për bagëtitë janë evakuuar në zona të sigurta, larg flakëve. Situata vazhdon të jetë shumë e rëndë, me pasojat nga zjarret që prekin jo vetëm banesat, por edhe sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.