Turqia po përjeton një valë të fuqishme zjarresh pyjore që kanë përfshirë rajonet e Izmirit, Denizli, Aydın dhe Manisa gjatë 24 orëve të fundit. Flakët kanë shpërthyer kryesisht në kufijtë e rajoneve Menderes dhe Seferihisar në qytetin bregdetar të Izmirit, duke arritur deri në zonat e banuara dhe duke detyruar autoritetet të evakuojnë të paktën 10 lagje, shumica në Seferihisar.
Shkak i përhapjes së shpejtë të zjarrit janë erërat e forta që kanë arritur shpejtësi deri në 120 km/h.
Në një rast të veçantë në zonën Omur në Seferihisar, një burrë i moshuar në karrocë është shpëtuar në momentin kur shtëpia e tij filloi të digjej. Ekipet e Kërkimit dhe Shpëtimit të IHH në Izmir e dërguan atë tek shërbimet mjekësore dhe fatmirësisht gjendja e tij është e mirë.
Ministri i Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, ka raportuar se deri tani janë shkatërruar 23 shtëpi dhe 47 njësi banimi, ndërsa në provinca të tjera si Bilecik janë dëmtuar rëndë 41 shtëpi dhe 25 stalla.
Prokuroria e Izmirit ka nisur hetime për zjarrvënie të qëllimshme. Një person është arrestuar për përdorim të benzinës për ndezjen e zjarrit, ndërsa 17 të dyshuar të tjerë janë ndaluar lidhur me zjarret që shpërthyen midis datave 26-28 qershor.
Si pasojë e zjarreve, Aeroporti Adnan Menderes në Izmir ka pezulluar përkohësisht të gjitha fluturimet hyrëse dhe dalëse. Fluturimet drejt qyteteve si Stamboll, Londër, Këln, Kopenhagë dhe Sofje janë anuluar.
Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, İbrahim Yumaklı, ka bërë të ditur se nga 77 zjarre të raportuara në një ditë, 9 janë të mëdha, ndërsa 3 prej tyre – në Manisa Akhisar, Izmir Kuyucuk dhe Doğanbey – vazhdojnë të jenë aktive dhe serioze.
Në përballjen me flakët janë angazhuar 1,113 personel, 11 avionë, 27 helikopterë dhe 281 automjete zjarrfikëse.
Guvernatori i Izmirit, Süleyman Elban, ka deklaruar se disa avionë mund të hedhin deri në 12 ton ujë në zjarr, por operacionet ajrore janë të kufizuara për shkak të mjegullës dhe erërave të fuqishme.
Hiri dhe tymi nga zjarret e mëdha kanë mbërritur deri në ishullin grek Patmos, duke krijuar një atmosferë të rënduar. Pushuesit në këtë zonë raportojnë errësim dhe erë të padurueshme gjatë orëve të pasdites.
Ministri Yumaklı ka theksuar se: “Nuk kemi të bëjmë me një zjarr të thjeshtë pyjor, por me një betejë në shkallë të plotë”.
Ai ka bërë thirrje për kujdes maksimal nga qytetarët, pasi çdo pakujdesi mund të sjellë pasoja katastrofike.
Aktualisht nuk ka raportime për viktima njerëzore, por tre persona janë dërguar në spital për probleme me frymëmarrjen si pasojë e tymit.