Sonte rreth orës 18:53 ka shpërthyer një zjarr në një lokal, përgjatë magjistrales Kaçanik–Ferizaj, ku fatmirësisht nuk ka të lënduar, derisa dëmet materiale konsiderohen deri në njëzet mijë euro.
Kanun Veseli, zëdhënës i policisë rajonale për Ferizaj, ka konfirmuar për KosovaPress, se njësia e zjarrfikësve, patrullat dhe njësia e hetimeve nga stacioni policor Kaçanik, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë veprimet e nevojshme.
“Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se zjarri ka filluar nga djegia e disa gomave të vendosura jashtë lokalit, e më pas zjarri është përhapur duke përfshirë një lokal të gomisterisë, një pjesë të një lokali tjetër, me dëme të vogla, si dhe një pjesë të një shtëpie përreth. Vlera e dëmit dyshohet të jetë rreth njëzet mijë euro”, ka thënë Veseli.
Po ashtu, është njoftuar edhe njësia e KEDS-it, për të ndërprerë furnizimin me energji elektrike, me qëllim të parandalimit të rrezikut të mëtejshëm.
Hetimet lidhur me rastin janë në proces, ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë rajonale.