Zjarr në jetimoren e Haitit, vdesin 15 fëmijë


Gazeta Express
15 Shkurt 2020 9:36

Pesëmbëdhjetë fëmijë kanë vdekur në Haiti pasi zjarri e kaploi një jetimore në periferi të kryeqytetit të këtij vendi, Port-au-Prince.

Shkaktari i zjarrit është ende duke u hetuar, por stafi dhe fëmijët raportohet të kenë thënë se në këtë ndërtesë përdoreshin qirinjtë në vend të rrymës elektrike.

Jetimorja e menaxhuar nga një grup i krishterë me bazë në Shtetet e Bashkuara, ishte njëra nga qindra jetimoret që operojnë pa autorizim zyrtar të organeve shtetërore.

Arielle Jeanty Villedrouin, drejtoreshë e Institutit për Mirëqenie Sociale, tha se rreth 60 fëmijë ndodheshin në ndërtesë në momentin e shpërthimit të zjarrit.

Zyrtarët njoftuan se dy fëmijë vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa 13 të tjerë në spital si rezultat i thithjes së tymit, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Raportohet se stafi i kishte ndezur qirinjtë në natën tragjike pasi gjeneratori i jetimores ishte prishur.

Rreth 30 mijë fëmijë jetojnë në më shumë se 760 jetimore në Haiti. Vetëm 30 për qind e tyre janë të licencuara.

Te fundit


Kthehu lart