Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, e ka mbrojtur stilin e lojës të skuadrës së tij dhe ka insistuar se ai nuk do t’i ndryshojë taktikat e tij, përkundër që madrilenët janë përballë me kritika gjatë kohës së fundit.
Nacho Fernandez e shënoi golin e fitores në ndeshjen e së dielës kundër Real Valladolidin, kur Real Madridi e fitoi ndeshjen e tretë radhazi në La Liga, këtë herë me rezultat 1:0, për ta kaluar për tre pikë Barcelonën në krye të tabelës, transmeton Gazeta Express.
Asnjë nga gjashtë golat e Real Madridit në ligë gjatë vitit 2020 nuk është shënuar nga sulmuesit e skuadrës, të cilët e patën të vështirë të krijojnë raste për të shënuar edhe në stadiumin Jose Zorrila.
Por, Zidane, i cili së fundi e pranoi se ka pasur pak fat gjatë kohës së tij si trajner me Real Madridin, tha se është i lumtur që skuadra e tij po vazhdon të sigurojë fitore.
“Nuk mendoj se Bernabeu i pranon 1000 pasime pa asnjë goditje. Të gjtihë e kanë stilin e vet të lojës. Unë kam luajtur në Bernabeu dhe ajo që tifozët duan është ta shohin skuadrën e tyre ta japë maksimumin në fushë. Gjithmonë ka qenë kështu”, ka thënë Zidane.
“Kur tifozët e shohin skuadrën duke u djersitur për fanellën, kjo është gjëja më e rëndësishme në fund sepse nuk mund të fitosh gjithmonë. Unë gjithmonë e them të njëjtën – nuk do të ndryshoj”.
“Gjëja e rëndësishme është që klubi ma ka dhënë mundësinë t’i stërvit këta lojtarë. Është një skuadër e mrekullueshme dhe unë jam me fat që jam këtu. Para dy muajve, gjërat s’po shkonin shumë mirë dhe kishte shumë kritika – kjo s’do të ndryshojë. Ne duam të vazhdojmë kështu si jemi”. /Gazeta Express/