Ziberi nga Krusheva: Do të jem Kryeministër për të gjithë, i ftoj gjithë komunitetet të votojnë për shpresën e re në vend - Gazeta Express

Maqedoni

Gazeta Express

11/07/2020 19:26

Ziberi nga Krusheva: Do të jem Kryeministër për të gjithë, i ftoj gjithë komunitetet të votojnë për shpresën e re në vend

Maqedoni

Gazeta Express

11/07/2020 19:26

Maqedonia e Veriut, është vend që ne të gjithë e duam dhe e quajmë atdheun tonë, ka kaluar shumë kryengritje, revolucione dhe luftëra në të kaluarën, gjithmonë duke luftuar për pavarësi e gjithashtu ka pasur edhe tensione ndëretnike. Ne luftuam së bashku kundër armiqve nga jashtë, dhe luftuam kundër njëri-tjetrit, kur shqiptarët kërkuan barazi, deklaroi sot kandidati i BDI-së për kryeministër, Naser Ziberi nga Krusheva.

Ai rikujtoi historikun e këtij vendi i cili në vete ngërthen histori të rëndësishme duke filluar nga ai i Kryengritjes së Ilindenit gjë që simbolzon çlirimin nga Perandoria Osmane.

Në fjalën e tij Ziberi theksoi se edhe pse luftërat ishin të domosdoshme – kurrë nuk është lufta ajo që sjell sukses, është gjithnjë paqja.

“Jemi të suksesshëm, vetëm kur luftojmë së bashku dhe jo kundër njëri-tjetrit, shqiptarët, maqedonasit, turqit, serbët, vllehët, boshnjakë dhe romët, ne mund të jemi etnitete të ndryshme, por ne ndajmë
një vend, ndajmë shtëpinë tonë, së bashku, arritëm paqe, së bashku arritëm anëtarësimin në NATO dhe së bashku do të arrijmë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të bashkuar, ne do ta bëjmë jetën në Maqedoninë e Veriut më të mirë për të gjithë qytetarët dhe do të krijojmë një të ardhme mundësish më të mirë për fëmijët tanë”, porositi Ziberi.

Mes tjerash ai iu referua edhe luftës për çlirim nga politika dypolësh i pushtetit të ndarë midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në këto tridhjetë vitet e fundit

“Një luftë e ftohtë politike, ku askush nuk mund të fitojë, por një gjë është e sigurt, qytetarët gjithmonë kanë humbur dhe ne jemi akoma të mbërthyer në këtë sistem të vjetruar politik, i cili i shërben vetëm vetes dhe partive politike, i cili bazohet në ndarje dhe urrejtje, lufta kundër këtij sistemi, lufta për çlirim nga ky dypolësh është demokratike, paqësore dhe jo e dhunshme. Thjesht duhet të përdorim
të drejtën tonë themelore për të votuar – edhe pse partitë e vjetra maqedonase e rrezikojnë edhe këtë” tha Ziberi.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që “pavarësisht përkatësisë etnike dhe politike – le ta ecim së bashku këtë rrugë, le të ecim përpara së bashku në një shtet të ri, bashkëkohor demokratik, ku qytetarët janë të barabartë dhe ku të drejtat demokratike janë të paprekshme.

Ziberi u zotua se si Kryeministër i parë madje edhe jopartiak dhe i pavarur i Maqedonisë së Veriut, unë do të jem në shërbim të qytetarëve.

“Detyra ime është që Qeveria të punojë për qytetarët, t’i jap fund regjimit partiak dhe të krijoj një vend më të mirë për të gjithë ne. Për shqiptarët, maqedonasit dhe të gjitha etnitë tjera, duke shtuar
se Krusheva është një simbol i çlirimit dhe i pavarësisë, zgjedhja e Kryeministrit të parë shqiptar do të jetë një simbol i barazisë dhe i një demokracie të re, bashkëkohore, por edhe më shumë”, tha Ziberi.

Ziberi fjalën e tij e përfundoi duke ju premtuar se do të jetë kryeministër më i mirë për të gjithë.

“Për shqiptarët, maqedonasit dhe të gjithë prej jush, si Kryeministër jopartiak, unë do t’u përkushtohem juve, qytetarëve, dhe obligimi im i vetëm është që ta bëjmë Maqedoninë e Veriut një vend më të mirë, me më shumë prosperitet, me një cilësi më të mirë të jetesës, me më shumë transparencë dhe barazi të vërtetë. Le ta lëmë të kaluarën pas dhe të ecim së bashku drejt një të ardhme më të mirë. Le ta realizojmë ëndrrën”, porositi Ziberi nga Krusheva.