Edon Zhegrova mund të rikthehet në elitën e futbollit francez, pasi sipas mediumit italian “Mediafoot”, Marseille ka shfaqur interes për shërbimet e tij.
Klubi francez, që ishte pranë Zhegrovës gjatë verës, po planifikon ndryshime në repartin ofensiv për sezonin e ardhshëm. Raportohet se drejtuesit e klubit nga Ligue 1 po monitorojnë disa alternativa në treg, ndërsa situata e Zhegrovës konsiderohet si një rast i favorshëm.
“Marseille po përgatit një riorganizim në sulm dhe po ndjek nga afër zhvillimet që lidhen me lojtarët nga Serie A. Rasti i Zhegrovës është ndër më të rëndësishmit”, shkruan “Mediafoot”.
26-vjeçari e njeh mirë kampionatin francez, pasi më herët ka pasur paraqitje të suksesshme me Lille. Ai u transferua te Juventusi vitin e kaluar dhe ka kontratë me klubin torinez deri në qershor të vitit 2030.
Megjithatë, Zhegrova nuk duket se është në planet e trajnerit aktual të Juventusit, Luciano Spalletti.
Që nga transferimi i tij në Itali, ai ka regjistruar vetëm 374 minuta lojë në të gjitha garat, gjë që ka shtuar spekulimet për një largim të mundshëm gjatë afatit të ardhshëm kalimtar./GazetaExpress/