Edon Zhegrova e ka zbuluar çelësin e suksesit të Lillet, i cili e mposhti mbrëmë Real Madridin me rezultat minimal, 1:0 në ndeshjen e vlefshme për fazën e ligës në Ligën e Kampionëve.
Ylli kosovar e bëri një paraqitje fantastike, me ç’rast edhe u shpall lojtari i ndeshjes.
Ai e nxori penalltinë, përmes së cilës vendësit e fituan ndeshjen, por ishte edhe i pandalshëm për madrilenët me depërtime të shkëlqyeshme.
E pas lojës, 25 vjeçari ka folur për faqen zyrtare të UEFA-s, duke e shprehur gëzimin e tij për fitoren dhe për paraqitjen individuale, ndërsa i zbuloi edhe faktorët që ndikuan në arritjen e fitores së madhe ndaj madrilenëve, përcjell “Gazeta Express”.
“Mendoj se shpirti i ekipit tonë e bëri diferencën. Secili dha gjithçka nga vetja, në secilën pozitë. Kjo ishte ajo që e kërkoi trajneri sepse e dimë që Real Madridi ka kualitet të madh. Por, mendoj se ishte shpirti i ekipit dhe të gjithë së bashku, që e bëri diferencën.”
“Besoj se, nëse vazhdojmë kështu, me të njëjtin mentalitet dhe të njëjtin shpirt, shpresoj se mund të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur.”
“Por, ne e dimë se Liga e Kampionëve është një garë e madhe me ekipe të mëdha, por duhet të mundohemi ta fitojmë çdo lojë.”
Zhegrova paraprakisht foli edhe për faqen zyrtare të ekipit të tij, Lille pasi e mori çmimin si lojtari i ndeshjes.
“Përshëndetje të gjithëve. Është një ditë historike për ne. Jam mjaft krenar me ekipin, jam shumë i lumtur për fitoren. I falënderoj të gjithë tifozët për përkrahjen e madhe. Shumë dashuri për të gjithë.”
E përmes një postimi në rrjetet sociale, ai po ashtu e shprehu emocionin e momentit.
“Ishte e gjitha një ëndërr”, shkroi Zhegrova teksa e postoi çmimin e lojtarit të ndeshjes.
Zhegrova i ka realizuar tre gola në fazën kualifikuese të Championsit në këtë edicion, ndërsa i ka edhe tre gola në Ligue 1.
Pa dyshim, ky është momenti më i mirë në karrierë, nëpër të cilin po kalon përfaqësuesi kosovar. /Gazeta Express/