Zhdukja e 15-vjeçares nga Gjakova: Prindërit s’dinë a është gjallë, akuzojnë familjen e djalit me të cilin dyshojnë se ka ikur


Liridonë Çeta
12 Dhjetor 2019 18:35

Kanë kaluar gjashtë muaj prej kur 15-vjeçarja nga Gjakova, Yllka Derri, është raportuar e zhdukur. Nga ajo kohë, familjarët e saj nuk kanë pasur asnjë kontakt me të. E mitura kishte biseduar shkurt me të ëmën në tëlefon e më pas e kishte dërguar një mesazh me zë nga telefoni i djalit me të cilin dyshohet se gjendet, në të cilin kërkonte që babai ta thërrasë, por babai Naimi nuk kishte arritur ta bëjë këtë. Babai i të miturës ka thënë për Gazetën Express se institucionet e drejtësisë nuk po bëjnë asgjë për të ia gjetur vajzën.

Gjashtë muaj ankth e pasiguri për familjen Derri nga Gjakova të cilët nuk dinë gjë për fatin e të bijës së mitur.

Vetëm dyqind metra largësi ka shtëpia e familjes së Yllka Derrit me atë të 17-vjeçarit Besart Radosta, djalit me të cilin dyshohet se është 15-vjeçarja. 

Megjithatë, babai i Yllkës, Naim Derri, thotë se tash e gjashtë muaj vajza e tij nuk është parë as pranë shtëpisë së familjes Radosta.

Katër ditë pas zhdukjes, Yllka i kishte telefonuar familjarët, duke iu thënë se do të niset për Greqi, e më pas për Itali.

Nëna e Yllkës, Teuta Derri, ka treguar për Express dyshimet lidhur me thirrjen e vajzës.

“Ka thirrë në telefon dhe ka thënë që po niset për Greqi e pastaj për Itali. I kam thënë qysh mundet me shku atje kur nuk ka dokumente, më ka thënë se do të dalin në të zezën. Më pas kemi dëgju se e kanë qitë në Mal të Zi me dokumente të vajzës së tyre. Unë dyshoj se e kanë përmend Greqinë vetëm më na ngjallë dyshime e mos me e zbulu ku janë”, ka treguar nëna e së miturës.

Ajo ka treguar se dikush e ka dëgjuar duke biseduar në telefon dhe ia ka ndërpre,  më pas vajza e saj e ka dërguar një mesazh me zë, përmes së cilit kërkonte që ta thërrisnin. E kjo ishte edhe dita e fundit kur familjarët e dëgjuan zërin e së bijës. 

“Thuj babit kur t’munet le t’më thirrë se unë kom me u nisë e ku me e ditë kur muna me folë. Thuj babit le t’më thirrë se Besarti është jashtë, unë e kom marrë telefonin tinëz tij, se me bo me ardhë ai nuk m’len me folë. Kështu që thuaji babit le t’më thirrë se unë nisna mo nuk muj me folë”, kishte thënë Yllka në mesazhin e dërguar familjes së saj.

Pas gjashtë muajsh kërkim pa asnjë rezultat, babai i Yllkës thotë se më nuk e di nëse ajo është gjallë apo jo.

“Gjashtë muaj nuk ia kemi dëgju zanin çikës, nuk e dimë më as a është gjallë. Vetëm një herë ka arritur të kontaktojë me ne, ka kërku ndihmë, por në momentin kur ajo e ka dërgu një mesazh me zë, unë nuk e kam dëgju. Çika i ka 15 vjet, është e mitur, fëmijë është, e kanë mashtru. Ne kemi jetu në Suedi 5 vjet, çika nuk e ka ditë as shqipen mirë”, ka treguar ai për Express.

Babai i së miturës ka treguar se deri më tani kanë shkuar nëpër të gjitha institucionet e drejtësisë të cilat po merren me rastin, por sipas tij, ato nuk po e bëjnë punën e tyre.

“Askush nuk na ndihmon. Kemi shku në Prokurori, në Gjykatë të Apelit, në Gjykatë Supreme, askush nuk po na përkrah. Kemi shku edhe në Prishtinë të kryeprokurori. Të gjithë e dinë që vajzën e kanë qitë jashtë vendit, e kanë pa në kamera në pikën kufitare. E kemi humbë besimin në institucionet e drejtësisë”, ka treguar babai i vajzës.

Ndërkaq babai i të miturës ka treguar se babai i Besartit, Blerim Radosta, në mënyra indirekte ka dërguar njerëz të cilët i kanë thënë që të pajtohet me martesën e vajzës së tij. 

“Babai i djalit na ka shantazhuar që t’i tërheqim të gjitha akuzat, ka kërku që ne të ia bëjmë çikën për hajër. Ka shkuar nëpër njerëz, ka dërgu njerëz te unë, më kanë thënë bonja çikën për hajër, e më pas shkoni me e pa çikën, na kanë bë presion. Ka shku edhe te babai i gruas sime, i ka thënë se nëse ai do, ka me e kthy çikën në shtëpi”, ka treguar Naim Derri.

Të brengosur nga zhdukja e vajzës së tyre, e të zhgënjyer nga institucionet e drejtësisë, prindërit e Yllkës kanë provuar ta kërkojnë të bijën edhe jashtë Kosovës.

Ata kanë shkuar në Mal të Zi, por që nga atje janë kthyer pa ndonjë rezultat në gjetjen e së bijës.

“Ne kemi shku edhe në Mal të Zi, po s’e kemi ditë gjuhën e s’kemi mujt me u kuptu. Kemi shku edhe në policinë e Malit të Zi. Djali e ka një motër të martuar në Podgoricë, aty mund të jenë, por nuk mund ta dimë”, ka treguar ai.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me drejtorin rajonal të policisë së Gjakovës, Lumni Graishta, i cili ka thënë se kanë bërë kërkesë nëpër të gjitha pikat kufitare që nëse hasin në dy të rinjtë, t’i shoqërojnë në stacion policor.

“Me aq sa dimë ne, ata kanë përdorur pasaporta të huaja dhe kanë dalë jashtë shtetit. Si Drejtori Rajonale dhe si stacion policor, nuk kemi autoritet në pika kufitare, megjithëse e kemi bërë njoftimin për te gjitha pikat kufitare, që kudo që hasin me ta, t’i shoqërojnë në stacion policor. Mirëpo, deri tash nuk kemi ndonjë indikacion se ku mund të jenë, por kemi informata që ata kanë dalë jashtë duke përdorur pasaporta të huaja”, ka treguar Graishta.

Ai ka bërë të ditur se që nga muaji qershor kanë iniciuar edhe bashkëpunimin me autoritetet malazeze për bashkëpunim, por deri më tani nuk kanë marrë ndonjë përgjigje prej tyre.

“Përmes zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar në kuadër të drejtorisë së përgjithshme në Prishtinë, janë bërë kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar me Malin e Zi, por deri më tani nuk kemi pasur asnjë përgjigje prej autoriteteve të Malit të zi. Por këtë iniciativë e kemi marrë qysh në fillim”, ka thënë Graishta për Express.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart