Reuters i ka kushtuar artikull ministres së re në Shqipëri, e cila është caktuar për të menaxhuar prokurimin publik. Ajo do të jetë e paprekshme nga ryshfetet, kërcënimet apo përpjekjet për favore. Kjo sepse Diella, siç quhet, është një e krijuar nga inteligjenca artificiale.
“Diella është anëtarja e parë e kabinetit që nuk është e pranishme fizikisht, por është krijuar virtualisht nga AI,” tha kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë një fjalimi ku prezantoi kabinetin e ri.
Ajo do ta ndihmojë Shqipërinë të bëhet “një vend ku tenderët publikë janë 100% të lirë nga korrupsioni.”
Reuters shkruan se dhënia e këtyre kontratave prej kohësh ka qenë burim skandalesh korrupsioni në Shqipëri, një vend ballkanik që ekspertët thonë se është qendër për bandat që pastrojnë paratë e trafikut të drogës dhe armëve nëpër botë, dhe ku korrupsioni ka depërtuar deri në nivelet më të larta të pushtetit.
Ky imazh ka ndërlikuar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, që Rama dëshiron ta arrijë deri më 2030, por që analistët politikë e konsiderojnë synim ambicioz.
Tutje thuhet se qeveria shqiptare nuk dha detaje se çfarë mbikëqyrjeje njerëzore do të ketë mbi Diellën, apo nuk adresoi rreziqet që dikush mund të manipulojë botin e inteligjencës artificiale.
Diella u lançua fillimisht në fillim të këtij viti si asistente virtuale e fuqizuar nga AI në platformën e-Albania, duke ndihmuar qytetarët dhe bizneset të marrin dokumente shtetërore. E veshur me kostum tradicional shqiptar, ajo ofron ndihmë përmes komandave zanore dhe lëshon dokumente me vula elektronike, duke reduktuar vonesat burokratike.