Zgjerohen hetimet për tragetin me mbetje toksike në Vlorë - Gazeta Express

Ballina

Gazeta Express

21/02/2020 23:12

Zgjerohen hetimet për tragetin me mbetje toksike në Vlorë

Ballina

Gazeta Express

21/02/2020 23:12

Bllokimi i një sasie të dyshuar lëndësh toksike që do të shkarkoheshin në Vlorë pasi ishin ngarkuar në traget në Brindizi të Italisë ka ngritur alarm te ekspetët e mjedisit, të cilët e shohin kalimin e tij përmes doganës si një sinjal shqetësues të mungesës së kontrollit.

“Për mua ky është një lajm alarmant, por është një situatë e paralajmëruar kjo gjë,” tha profesori Romeo Hanxhari, i specializuar në politika të mjedisit, duke iu referuar mungesave të kontrollit në dogana dhe mungesës së personelit të specializuar.

BIRN mësoi nga bashkëshortja e njërit prej të arrestuarve se një sasi prej rreth 1 kg lënde që ajo e identifikoi si lesh xhami, por që dyshohet të ketë përbërje Amianti (lëndë kancerogjene), ishte shkarkuar nga furgoni që kryente trasportimin e mbetjeve të tragetit në pikën e grumbullimit të mbetjeve të Zamir Kormuzit.

Hanxhari e cilësoi këtë mjaft të rëndë. “Lënda nuk duhej të ishte zbritur asnjëherë nga furgoni”, tha ai.

Policia arrestoi të enjten 6 persona dhe bllokoi në traget pjesën tjetër të materialit të dyshuar si lëndë e ndaluar për të hyrë në Shqipëri. Policia njoftoi se kishte arrestuar Festim Tafën, 72-vjeç, kapiten i tragetit “S.T. Damian”, zv/kapitenin Kujtim Xhaferllari 65 vjeç, drejtorin e një agjencie tragetesh, Agron Brati,  48 vjeç, administratoren e kompanisë “Delfini 1” Elisabeta Çuni dhe djalin e saj, Arbër Çuni dhe drejtuesin e pikës së grumbullimit, Zamir Kormuzi.

Policia dyshon se këto produkte ishin sjellë në Shqipëri nga Elisabeta Çuni, të kamufluara si produkte kimike pastrimi. Të arrestuarit kanë mohuar akuzën, ndërsa drejtuesit e tragetit kanë pretenduar se mbetjet ishin pjesë e rinovimit të anijes. I akuzuari Brati ka mohuar të kishte dijeni.

Burime të policisë thanë se trafiku mund të jetë i organizuar dhe dyshohej që mund të ishin përballë një grupi të strukturuar. Megjithatë zyrtarisht, policia tha se ende nuk kishte informacion të saktë mbi përmbajtjen e mbi 10 fuçive me emrin e një kompanie nafte dhe gazi në Itali dhe as për lëndën që ndodhej në thasët e zinj, që përfaqësues të tragetit i kanë cilësuar si material termoizolues që ishte hequr prej vetë tragetit.

Drejtori i Policisë së Vlorës, Artion Duka i tha BIRN se pritej ekspertiza laboratorike që “do qartësojë situatën se çfarë materiali përmbajnë këto sende”. Duka po ashtu tha se policia nuk kishte shkuar rastësisht në tragetin ku u bllokua lënda e dyshuar. “Ky hetim u iniciua pas një inormacioni të mbërritur në rrugë operative në strukturat e  inspektoriatit të mjedisit dhe policisë bashkiake,” tha ai.

Policia ndërkohë urdhëroi një riekzaminim të të gjithë hapësirës së tragetit St. Damian. Gjatë kontrollit të parë, në hambarët e tij u gjetën 40 metër kub lëndë e dyshuar si e ndaluar për të hyrë në Shqipëri. Policia e Vlorës gjithashtu  ka sekuestruar dhe mbi 10 fuçi me mbishkrimin “Eni”, që dyshohet të jenë të një kompanie italiane nafte në Itali.

Materiali i njohur në gjuhën popullore si lesh xhami, i gjetur në hambarin e tragetit, dyshohet se përmban lëndën e Amiantit, material kancerogjen për të cilën policia e Vlorës dhe prokuroria e rrethit kanë  dyshime se mund të  groposej në rrethinat e Vlorës. Ndërkohë nuk ka të dhëna se çfarë ndodhet brenda fuçive.

Ajo që ka vërtetuar prokuroria dhe policia e Vlorës është fakti se për mbi 10 fuçitë e sekuestruara dhe mbetjet e dyshuara të Amiantit,  nuk ka asnjë dokument shoqërues nga Italia, mungojnë faturat e blerjes dhe dokumentacioni ligjor i autoriteteve doganore në Brindizi.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit që po drejtohet nga prokurori Arjan Xhaferi, materialet do të deklaroheshin si materiale të riciklueshme për të cilat kompania e riciklimit Kormuzi do të përmbyllte procedurat doganore. Ndërkohë prokuroria pretendon se kompania e pastrimit “Delfini 1”, administratorja e të cilës është arrestuar, do të prodhonte dokumente për t’i zbritur mallrat nga trageti si produke pastrimi.

Nga furgoni i kësaj kompanie, i cili u bllokua më pas nga policia, një pjesë e këtyre materialeve janë depozituar në sheshin e grumbullimit të mbeturinave të Zamir Kormuzit. Bashkëshortja e këtij të fundit, Rozina Kormuzi tha se ata nuk kishin dijeni që materialet të ishin helmuese, por tha se thasët ndodheshin në pikën e grumbullimit.

“Ne nuk pranojmë mbeteje të paligjshme në pikë, në momentin që konstatojmë mbetje të rrezikshme ne i lajmërojmë institucionet. Ne nuk jemi kimistë,” tha gruaja, e cila është edhe këshilltare bashkiake. Ajo tha se priste që i shoqi të lirohej.

Një version justifikues kanë dhënë edhe drejtuesit e tragetit. Ata kanë pretenduar se kishin bërë remontin e plotë të anijes, nga e cila kanë hequr materialin “lesh xhami, që anija e ka për izolimin e ujit” dhe e kanë grumbulluar në hambarin e anijes, pasi s’kishin vend tjetër për ta vendosur.

Ndërsa për sa i përket mbi 10 fuçive të sekuestruara brenda në traget, të arrestuarit kanë pohuar se ato nuk përmbajnë asnjë material të rrezikshëm, por janë të mbushura me vaj që shërben për motorat e tragetit./BIRN