Zgjerimi i aktakuzës ndaj Thaçit përfshin edhe 13 pjesëtarë të lartë të UÇK-së - Gazeta Express
string(78) "zgjerimi-i-aktakuzes-ndaj-thacit-perfshin-edhe-13-pjesetare-te-larte-te-uck-se"

Zgjerimi i aktakuzës ndaj Thaçit përfshin edhe 13 pjesëtarë të lartë të UÇK-së

Lajme

Gazeta Express

03/05/2022 18:18

13 pjesëtarë të UÇK-së përfshihen në aktakuzën e zgjeruar ndaj Thaçit dhe tre ish-krerëve të UÇK-së. Ky grup, përveç përgjegjësive komanduese, akuzohet edhe për akuza specifike që pretendohet të jenë kryer gjatë dhe pas luftën, shkruan Paparaci.com.

Zgjerimi i aktakuzës me pretendime për krime të tjera të luftës ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, përfshin edhe 13 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), shumica prej të cilëve eprorë të lartë.

Lexo Edhe:

Ky grup, përveç përgjegjësive komanduese, akuzohet edhe për akuza specifike të cilat pretendohet të jenë kryer gjatë dhe pas luftës.

Kësisoj, brenda pak javësh pritet të arrestohet ky grup prej 13 personave, që përfshin pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si dhe të zonave operative të Drenicës, Dukagjinit, Nerodimes, Pashtrikut etj, sipas informatave që ka siguruar Paparaci nga burimet e saj.

Paparaci shkruan se ka mësuar se mes akuzave që pritet të rëndojnë ndaj të dyshuarve është edhe vrasja e një eprori të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ka ndodhur menjëherë pas luftës në Prizren.

Rreth dy javë më parë, ky medium raportoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar pritet të kryejë arrestime të reja në Kosovë “së shpejti”.

Siç raportoi mediumi bazuar në burime, emrat që pritet të arrestohen janë të njohur për Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe se ZPS-ja i ka hetuar ata prej themelimit e deri më tash.

Personat e apostrofuar, emrat e të cilëve nuk janë bërë publik në artikullin e publikuar më 19 prill 2022 por të cilët janë të njohur për redaksinë, nuk kishin pranuar të komentojnë raportimin e Paparacit.

Zyra e Prokurorit  të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar të premten një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Seminishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Seminishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje.

Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.

Pas kësaj, gjykatësi i procedurës paraprake pasi ka konfirmuar akuzat e reja, ka caktuar 10 majin si datën kur të akuzuarit do të dalin para gjykatës.