Zgjedhjet në dhjetor ia sigurojnë sektorit publik pagat për dy muajt e parë të vitit 2026, nuk përfshihen edhe punëtorët e RTK-së - Gazeta Express
string(128) "zgjedhjet-ne-dhjetor-ia-sigurojne-sektorit-publik-pagat-per-dy-muajt-e-pare-te-vitit-2026-nuk-perfshihen-edhe-punetoret-e-rtk-se"

Lajme

Gazeta Express

20/11/2025 14:48

Zgjedhjet në dhjetor ia sigurojnë sektorit publik pagat për dy muajt e parë të vitit 2026, nuk përfshihen edhe punëtorët e RTK-së

Lajme

Gazeta Express

20/11/2025 14:48

Mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor e ka shpëtuar sektorin publik nga mungesa e pagave në muajin janar dhe shkurt, pasi që Ligji për menaxhimin e financave publike, mundëson zgjatjen buxhetore edhe për dy muajt e parë të vitit pasues, nëse zgjedhjet mbahen në 4 muajt e fundit të vitit fiskal. 

Kjo është e përcaktuar në nenin 24 të Ligjit “Ndarjet buxhetore në mungesë të një Ligji për Ndarjet Buxhetore”.

“ … nëse një Ligj për Ndarjet Buxhetore për një vit të caktuar fiskal nuk miratohet nga Kuvendi dhe nuk shpallet në mënyrë të rregullt nga personi i autorizuar për këtë shpallje para fillimit të vitit përkatës fiskal, ligji mbi ndarjet buxhetore i cili ka qenë në fuqi vitin e mëparshëm do të trajtohet sikurse: a) nëse zgjedhjet e përgjithshme për deputetët e kuvendit janë mbajtur më pak se katër (4) muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal: (i) thuajse është zgjatur për të mbuluar dy (2) muajt e parë të vitit të tillë fiskal; dhe (ii) thuajse siguron një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është i barabartë me gjashtëmbëdhjetë dhe dy të tretat e përqindjes (16.67 %) të ndarjes buxhetore të siguruar për organizatën e tillë buxhetore nga ligji i ndarjeve buxhetore”, thuhet në paragrafin e parë të këtij neni.

Këtë e ka thënë edhe drejtori i Instituti GAP-, Blendi Hasaj. Ai ka thënë se nëse zgjedhjet mbahen në dhjetor, sipas ligjit, zgjatja mund të bëhet në mënyrë automatike për dy muajt e parë të vitit pasues. 

Profesori i ekonomisë Sejdi Rexhepi tha se zgjedhjet në dhjetor mundësojnë zgjatjen buxhetore për dy muajt parë të vitit pasues. 

“Nëse zgjedhjet mbahen 4 muaj para fillimit të vitit fiskal në këtë rast në dhjetor, atëherë ndarjet buxhetore vazhdohen edhe për muajt janar dhe shkurt. Nëse nuk mbahen atëherë viti fiskal zgjatet vetëm deri në janar”, ka theksuar Rexhepi.

Zgjatja e buxhetit nuk i përfshinë edhe punëtorët e RTK-së, pasi për televizionin publik, nuk u miratua raporti vjetor në Kuvendin e Kosovës. /Koha