Zgjedhjet e reja afër, Osmani fillon procedurën për emërimin e KQZ’së së re, partitë edhe 5 ditë afat për propozime - Gazeta Express
string(112) "zgjedhjet-e-reja-afer-osmani-fillon-proceduren-per-emerimin-e-kqzse-se-re-partite-edhe-5-dite-afat-per-propozime"

Lajme

Gazeta Express

11/03/2026 14:48

Zgjedhjet e reja afër, Osmani fillon procedurën për emërimin e KQZ’së së re, partitë edhe 5 ditë afat për propozime

Lajme

Gazeta Express

11/03/2026 14:48

Vetëm edhe 5 ditë të tjera subjektet politike kanë afat për t’i dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, propozimet për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.  Përbërja e re e KQZ-së pritet të reflektojë rezultatin e subjekteve politike nga zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025, shkruan Gazeta Express.

Sipas këtyre rezultateve, 6 anëtarë pritet të emërohen nga radhët e subjekteve politike shqiptare: 2 nga Vetëvendosje, 2 nga PDK dhe nga një anëtar për LDK dhe AAK. Katër anëtarë të tjerë do të emërohen nga radhët e komuniteteve pakicë.

Aktualisht, në KQZ, Vetëvendosje dhe PDK përfaqësohen nga dy anëtarë, kurse LDK dhe AAK me nga një anëtar. Nga komunitetet, Lista Serbe ka një përfaqësues, ndërkaq, turqit, boshnjakët dhe romët, gjithashtu nga një anëtar.

Më 9 mars 2026, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka dërguar subjekteve politike kërkesat e veçanta nga të cilat ka kërkuar propozimet me shkrim të emrave të kandidatëve për anëtarë të KQZ-së.

Sipas paragrafit 6 të nenit 61 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme ku flitet për mandatin dhe emërimin e anëtarëve të KQZ-së, subjektet politike duhet që brenda afatit prej 7 ditësh t’i dërgojnë propozimet e tyre. Pra, ky afat do të skadojë më 15 mars 2026.

Po sipas të njëjtit ligj dhe të njëjtit paragraph, emërimi i anëtarëve nga presidenti bëhet brenda 5 ditësh nga dërgimi i propozimeve. Pra, afati i fundit për emërimin e tyre është data 20 mars 2026.

Zgjedhjet e reja – DnV me thirrje për emërimin e anëtarëve të rinj

Situata e re politike në vend, e krijuar pas dështimit të Kuvendit që deri më 5 mars të zgjedhë Presidentin e Kosovës dhe dekretit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës – me shumë gjasa pritet ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Në këto rrethana, rrjeti i organizatave që merren me monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), më 7 mars ka kërkuar nga presidentja Osmani që të fillojë procedurën për përbërjen e re të KQZ-së.

“Në këtë moment, kur vendi po përballet me zhvillime që pritet të çojnë drejt një procesi të ri zgjedhor dhe kur 11 marsi – si afat ligjor për këtë procedurë është drejt përfundimit – përmbyllja e procesit të emërimit të përbërjes së re të KQZ-së bëhet edhe më e rëndësishme. Kjo sidomos për shkak se legjislacioni aktual nuk parasheh më vazhdimin automatik të mandatit të përbërjes ekzistuese të KQZ-së deri në emërimin e së resë – në rast të zgjedhjeve – siç ishte rregulluar me ligjin e mëparshëm”, thuhej në kërkesën e DnV-së.

Sipas DnV-së, “çdo proces i mundshëm zgjedhor duhet ta gjejë Kosovën me institucione zgjedhore të konsoliduara, funksionale dhe me mandat të qartë ligjor, në mënyrë që administrimi i zgjedhjeve të mos shoqërohet me dilema për legjitimitetin e tij”.

Emrat e përfolur për anëtarë të KQZ-së

Deri më tani, disa nga partitë politike kanë dërguar në Presidencë propozimet e tyre.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Alenca për Ardhmërinë e Kosovës kanë dërguar emrat e anëtarëve aktual, Sami Hamiti dhe Muharrem Nitaj, raporton Express.

Merret vesh se Vetëvendosje dhe PDK ende nuk kanë propozuar zyrtarisht përfaqësuesit e tyre për KQZ.

Aktualisht, Vetëvendosje përfaqësohet nga Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi. Ky i fundit nuk ka të drejtë të ri-emërohet pasi që sipas ligjit për zgjedhjet “anëtarët e KQZ-së nuk mund të shërbejnë më shumë se 3 mandate të njëpasnjëshme”.

Kurse, PDK përfaqësohet nga Ilir Gashi dhe Arianit Elshani. Ky i fundit, gjithashtu nuk mund të ri-emërohet për shkak të kufizimit të njëjtë ligjor. /GazetaExpress

Advertisement
Advertisement
Advertisement