string(63) "zgjedhjet-e-14-shkurtit-ja-kur-fillon-regjistrimi-per-diasporen"

Lajme

Valmire Maliqi Jashari

09/01/2021 12:13

Zgjedhjet e 14 shkurtit, ja kur fillon regjistrimi për diasporën

Lajme

Valmire Maliqi Jashari

09/01/2021 12:13

Komisioni Qendror Zgjedhor  (KQZ) tashmë ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen me 14 shkurt të këtij viti në Kosovë. Nga KQZ’ja kanë dhënë detaje edhe për aplikimin për regjistrim të votuesve që nuk jetojnë në Kosovë, shkruan Gazeta Express.

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi ka thënë për Express se periudha e aplikimit për t’u regjistruar votuesit jashtë Kosovës është nga data 13 deri më 21 janar.

“Periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë̈ Kosovës do të fillojë më 13 janar dhe do të përmbyllet më 21 janar, në orën 18:00”, ka thënë ai.

Ndërsa ai shton se te gjitha informacionet do të publikohen në ueb faqen e KQZ’së.

“Të gjitha informacionet e detajuara dhe formularët do të publikohen së shpejti në ueb faqen e KQZ-së”, potencoi ai.

Në ndërkohë, Elezi ka bërë të ditur për Express, se dje është hapur edhe afati për aplikim të partive për certifikim, afat ky që do të zgjas deri më 16 janar.

Sipas Elezit asnjë parti politike deri më tani nuk ka aplikuar për certifikim në KQZ.

“Subjektet politike, pra këtu përfshihen partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur, mund të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje deri më 16 janar, në orën 18:00. Pra, deri në këtë kohë subjektet politike duhet të sjellin edhe listat e kandidatëve për deputetë. Deri në këto momente që po flasim, nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike’’, ka thënë Elezi, për Express.

Buxheti për zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë 5 milionë e 650 mijë euro.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka shpërndarë Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të  Kosovës dhe i ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për 14 shkurt.

Kujtojmë që deri tek kjo situatë erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për votën e deputetit Etem Arifi, votë e cila ishte vendimtare për formimin e Qeverisë “Hoti”. /Gazeta Express/