Misioni i OSBE-së në Kosovë shpreh zhgënjimin mbi vendimin e marrë sot nga disa anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të abstenuar ose votuar kundër kërkesave për akreditim të paraqitura nga mediat në gjuhën serbe për mbulimin e zgjedhjeve të 12 tetorit.
Në reagim thuhet se kufizimi i akreditimit të mediave në bazë të përkatësisë së perceptuar të komunitetit, gjuhës ose editoriale kufizon aftësinë e gazetarëve për të kryer detyrat e tyre profesionale.
“Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe transparente varen nga qasja e hapur dhe e barabartë për të gjitha mediat për të vëzhguar, raportuar dhe informuar publikun rreth zhvillimeve zgjedhore. Qasja në informacion në gjuhët e komuniteteve përfaqëson një aspekt themelor të kornizës multietnike dhe demokratike të Kosovës.”
“Sigurimi i mundësive të barabarta për të gjitha mediat është thelbësor për të ruajtur besimin e publikut në procesin zgjedhor, duke shmangur sugjerimet për praktika diskriminuese dhe duke mbështetur pjesëmarrjen e informuar nga të gjitha komunitetet.”
OSBE shprehet e përkushtuar për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes, pluralizmin e medias dhe qasjen e barabartë në informacion për të gjitha komunitetet, dhe u bën thirrje partive politike t’u përmbahen këtyre vlerave.
29 media vendore dhe 13 të tjera ndërkombëtare me numër të përgjithshëm të përfaqësuesve 573 janë akredituar sot në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, prej 71 mediave që kishin aplikuar për akreditim.
Prishtinë, tetor 2025 – Medieve në Kosovë u është shtuar një platformë e re që do të raportojë dhe...