Procesi i numërimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ka përfunduar për 5.225 kuti votimi brenda territorit të Shqipërisë, ndërsa vijon procesi për votën e diasporës dhe votat preferenciale për kandidatët, i cili po zhvillohet në Parkun Olimpik “Feti Borova” në Tiranë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi në mesnatë se procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave është përmbyllur për të 12 qarqet e vendit, në përputhje me afatet ligjore. Deri më tani, rezultati flet qartë: Partia Socialiste, e udhëhequr nga Edi Rama, ka siguruar mandatin e katërt qeverisës me një fitore të thellë me 83 mandate dhe mbi 52% të votave në rang kombëtar.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë pësuar një rënie të ndjeshme, duke u ndalur në 34.28% të votave, ose 50 mandate, një rënie prej 13 mandatesh krahasuar me vitin 2021. Humbja ishte veçanërisht e thellë në disa prej bastioneve të saj tradicionale, si Dibra, ku PS arriti të përmbysë rezultatin.
Në qarkun e Tiranës, Agron Shehaj siguron 2 mandate, duke i marrë një Partisë Demokratike. Ndërkohë, Partia Socialdemokrate e Tom Doshit ruan 3 mandate me 3.4% të votave.
Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” merr 1 mandat me 3.5% të votave, po ashtu edhe Lëvizja Bashkë, e cila me 1.4% siguron një përfaqësues në Kuvend. Partitë e tjera të vogla nuk kanë arritur të kapërcejnë pragun përfaqësues.
Votat e diasporës pritet të luajnë një rol vendimtar në disa qarqe, ndërsa në disa raste kanë ndikuar edhe në ndryshimin e balancës së mandateve. Një mandat i Partisë Demokratike në Vlorë është rrëmbyer nga PS pas përfshirjes së votës së emigrantëve.
Të dhënat e KQZ-së (paraprake):
Zgjedhës në listë: 3.467.962
Votues: 1.458.251 (pjesëmarrje 42.21%)
Vota të vlefshme: 1.402.820
Vota të pavlefshme: 55.334
Në votën e diasporës, e cila është ende në proces numërimi, Partia Socialiste gëzon gjithashtu mbështetje me rreth 54% të votave, përkundër 29% që ka marrë PD me aleatët.
Theksojmë gjithashtu se zgjedhjet e këtij viti shënuan një pjesëmarrje më të ulët se në vitin 2021, ndërsa 55.334 vota u shpallën të pavlefshme gjatë numërimit.