Zgjedhje të reja nëse s’ka konstituim pas 12 ditësh apo zhbllokim, Eugen Cakolli dhe Albert Krasniqi flasin për Gazetën Express - Gazeta Express
string(125) "zgjedhje-te-reja-nese-ska-konstituim-pas-12-ditesh-apo-zhbllokim-eugen-cakolli-dhe-albert-krasniqi-flasin-per-gazeten-express"

Lajme

Gazeta Express

30/09/2025 18:04

Zgjedhje të reja nëse s’ka konstituim pas 12 ditësh apo zhbllokim, Eugen Cakolli dhe Albert Krasniqi flasin për Gazetën Express

Lajme

Gazeta Express

30/09/2025 18:04

Gjykata Kushtetuese ka dalë me një njoftim, përmes të cilit ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi ky proces konsiderohet i përmbyllur me zgjedhjen e nënkryetarit serb.

Në një reagim në Facebook, deputeti i LDK’së Arben Gashi tha se mesazhi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë “ose konstituohet Kuvendi për 12 ditë ose zgjedhje”.

Gashit i dha të drejtë Eugen Cakolli nga KDI. Ai në një prononcim për Express tha se Kushtetuesja nuk e nuk është e sqaruar se çka ndodhë pas afatit 30 ditor (afat i Gjykatës Kushtetuese me vendimin e parafundit të saj). Mirëpo shton se e vetmja pasojë e logjikshme është që nëse nuk konstituohet brenda 12 ditëve të mbetura vendi të shkojë në zgjedhje.

“Në dispozitiv nuk e kanë sqaru punën e përfundimit të afatit 30 ditor, d.m.th s’kanë tregu cka pas 30 ditëve, por tek që përmendet qashtu që kanë mbet edhe 12 ditë, unë mendoj që e vetmja pasojë e logjikshme juridike është me shku në zgjedhje. Në esencë Arben Gashi nuk e ka pasë keq se ose kanë me zgjedhë nënkryetarin ose kanë me shku në zgjedhje prapë… Po shpresoj që në vendimin që pritet të dalë i plotë, ose në rastin e Presidentes që e ka dërgu ish dashtë me qartësu që në momentin që kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditëve atëherë presidentja automatikisht e cakton datën e zgjedhjeve, s’ka nevojë me u shpërnda ose juridikisht nuk ekziston hiç”, tha ai.

Ndërsa Albert Krasniqi nga Demokracia Plus tha për Express se ky vendim i Kushtetueses e zhbllokon situatën. Ai tha se mbetet të shihet nëse është kushtetuese që Dimal Basha ia hoqi të drejtën Listës Serbe për të propozuar nënkryetarin duke kaluar te Nenad Rashiqi.

“Ky (vendim), e zhbllokon se e para është një pretendim i VV’së që kuvendi është konstituar pa u konstituuar e duke ia mohuar të drejtën komunitetit serb të përfaqësohet në kryesi të kuvendit. E ndalon një gjë të tillë, e që kishte qenë një dëm shumë i madh ku komunitetet nuk mund të realizojnë të drejtat e tyre; edhe me funksionu një kuvend që realisht nuk është konstituuar dhe vendimet e këtij kuvendi nuk kishin qenë të ligjshme. Plus mbetet me u pa edhe çështja e nënkryetarit të kuvendit kujt i takon, jo veç me konstatu që nuk është bërë por edhe nëse vendimet e Dimal Bashës për me ia heq të drejtën Listës Serbe e me kalu te një subjekti tjetër politik është e drejtë apo jo.”

Ai tha se nëse Kushtetesja e parashikon që nënkryetari serb të propozohet nga partia që është shumicë te ky komunitet, ia bën më të lehtë partive tjera që ta votojnë të propozuarin nga Lista Serbe.

Krasniqi shtoi se nuk pret që VV ta votojë ndonjë emër të propozuar nga Lista Serbe, duke thënë se VV po bën shkelje kushtetuese vazhdimisht.

“Nëse Gjykata Kushtetuese e parashikon siç duhet dhe siç e parasheh Kushtetuta që propozohet prej partisë që e ka shumicë te komuniteti serb, e bën më të lehtë ta votojnë, ndoshta VV s’e voton, por partitë tjera e kanë shumë më të lehtë sepse e bazojnë vendimin e tyre në një të drejtë që e ka konstatuar Gjykata Kushtetuese. Situata është sikur në KQZ ku VV propozonte që të mos certifikohet Lista Serbe mandej vendimet e Gjykatave e kthejnë në punë të kryer edhe këtu është i njëjti skenar. VV vazhdimisht po shkakton shkelje kushtetuese dhe sa herë që po i duhet me shkaktu bllokada po bën shkelje kushtetuese dhe këto nuk po i bën nga panjohuria për procedurën, por qëllimshëm”, tha ai.

Krasniqi tha se me këtë vendim Kushtetuesja nuk po i jep veto Listës Serbe mbi konstituimin e kuvendit.

“Jo absolutisht, këtë e parasheh kushtetuta dhe nuk po ia jep Gjykata Kushtetuese. Është  e qartësuar procedura në rregulloren e punës së kuvendit dhe ka një dallim shumë të madh mes asaj që ata nuk dëshirojnë të propozojnë dhe kur ata propozojnë por kjo i mohohet nga të tjerët. Ky është dallimi thelbësor që e hedh argumentin që Lista Serbe ka veto mbi konstituimin e kuvendit përmes propozimit të nënkryetarit.”

Ai shtoi se në rast se Lista Serbe refuzon ta propozojë një nënkryetar, e drejta i takon Nenad Rashiqit. /GazetaExpress/