string(91) "zgjedhje-te-jashtezakonshme-cakolli-i-kdi-se-shpalos-tri-skenare-te-mundshem-per-12-tetorin"

Lajme

Gazeta Express

10/06/2025 6:52

“Zgjedhje të jashtëzakonshme”, Cakolli i KDI-së shpalos tri skenarë të mundshëm për 12 tetorin

Lajme

Gazeta Express

10/06/2025 6:52

Pas caktimit të datës 12 tetor për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në Kosovë, ende mbetet e hapur mundësia që në të njëjtën ditë të organizohen edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Një skenar i tillë është përmendur nga Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili ka identifikuar tri rrugë kushtetuese që mund të çojnë drejt mbajtjes së të dyja proceseve zgjedhore në të njëjtën ditë.

Megjithatë, Cakolli ka theksuar se për secilin prej këtyre opsioneve, kushti paraprak dhe i domosdoshëm është konstituimi i Kuvendit të Kosovës — një proces që aktualisht mbetet i bllokuar.

Në përputhje me Kushtetutën, seancat për konstituimin e Kuvendit mund të thirren çdo 48 orë, me afat deri në muajin shtator, duke lënë hapësirë për zhvillime të mëtejshme në skenën politike.

Tri opsionet për zgjedhje të parakohshme parlamentare sipas Cakollit:

Shpërndarja e Kuvendit me vendim të deputetëve

Ky opsion parasheh që pas konstituimit të Kuvendit, deputetët ta votojnë shpërndarjen e tij me minimum 80 vota.

Pas kësaj, Presidentja e Kosovës ka afat deri në 10 ditë për të caktuar datën e zgjedhjeve, të cilat mbahen 30 deri në 45 ditë pas shpalljes.

Për të përputhur datën me zgjedhjet lokale të 12 tetorit, shpërndarja e Kuvendit duhet të ndodhë në periudhën 18 gusht – 2 shtator, ndërsa shpallja e datës së zgjedhjeve duhet të bëhet ndërmjet 28 gushtit dhe 12 shtatorit.

Cakolli thekson se deri atëherë mund të ketë deri në 42 seanca të dështuara, nëse mbahen çdo 48 orë.

Dështimi për të formuar Qeverinë brenda 60 ditësh

Ky mekanizëm parashikon që pas konstituimit të Kuvendit, Presidentja mandaton kandidatin për Kryeministër, e nëse Qeveria nuk arrin të formohet brenda 60 ditësh, shpërndarja e Kuvendit ndodh automatikisht.

Edhe në këtë rast, zgjedhjet shpallen brenda 10 ditësh dhe mbahen 30-45 ditë më pas.

Për të realizuar zgjedhjet më 12 tetor, shpërndarja automatike duhet të ndodhë më së voni më 2 shtator, ndërsa mandatimi i kandidatit për Kryeministër duhet të ndodhë më së voni më 4 korrik.

Në këtë skenar, deri në 12 seanca të dështuara mund të mbahen deri në atë afat.

Dështimi i dyfishtë për formimin e Qeverisë

Sipas këtij skenari, pas konstituimit të Kuvendit, Presidentja mandaton kandidatin për Kryeministër, i cili ka 15 ditë për të siguruar 61 vota.

Nëse dështon, Presidentja ka 10 ditë për të mandatuar një kandidat tjetër, i cili gjithashtu ka 15 ditë për të fituar besimin e Kuvendit. Në rast të dështimit të dyfishtë, Presidentja shpall zgjedhjet, të cilat mbahen brenda 40 ditësh.

Për zgjedhje më 12 tetor, ato duhet të shpallen më së voni më 2 shtator, ndërsa Kuvendi duhet të konstituohet më së voni më 23 korrik. Në këtë rast, mund të ketë deri në 21 seanca të dështuara deri në përmbushjen e afateve.

Aktualisht, procesi i konstituimit të Kuvendit po përballet me bllokada. Sot ka dështuar seanca e 29-të radhazi për konstituimin e tij, ndërsa e radhës është thirrur për ditën e mërkurë.