Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se ia ka dorëzuar letrën e dorëheqjes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Në njoftimin e tij, Aliu ka bërë të ditur se arsyeja e dorëheqjes është zgjedhja e Dimal Bashës kryetar Kuvendi.
“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorezova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.”
Ai ka thënë se dorëheqja vjen pas zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe se dje pas votimit e ka njoftuar Kurtin për vendimin e tij.
“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim.”
Aliu ka thënë se konsideron që zgjedhja e djeshme e kryetarit të kuvendit nuk është në frymën e lartësinë e idealit për Republikën “që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”.
“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësihë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua.”