string(102) "zgjatja-e-mandatit-te-ushtareve-qeveria-gjermane-kosova-stabile-rendesi-jetike-per-gjermanine-e-nato-n"

Lajme

Gazeta Express

24/05/2025 18:30

Zgjatja e mandatit të ushtarëve, Qeveria gjermane: Kosova stabile, rëndësi jetike për Gjermaninë e NATO-n

Lajme

Gazeta Express

24/05/2025 18:30

Veç dy javë pasi që u bë kancelar i Gjermanisë, Friedrich Merz dhe qeveria e tij morën një vendim që lidhet direkt me Kosovën.

Ekzekutivi në Berlin zgjati pjesëmarrjen e Ushtrisë Gjermane në kuadër të misionit paqeruajtës së NATO-s në Kosovë, që vepron këtu tash e 26 vjet.

Qysh nga çlirimi i vendit dhe tërheqja e forcave serbe më 14 qershor 1999, KFOR-i mban mandat paqeruajtës dhe tani është përgjegjësi i tretë për siguri.

Zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, ka thënë se një Kosovë stabile dhe paqësore është prej rëndësisë thelbësore për Gjermaninë, NATO-n dhe gjithë Evropën.

“Edhe këtu kontributi gjerman mbetet i pandryshuar; Si me personelin që e kemi në bazën e KFOR-it, është një element i përkrahjes kombëtare- ku është një kompani në mision si dhe me postin e drejtorit në ekipin e ndërlidhjes dhe Këshillimit të NATO-s”, tha Kornelius, raportoi Info Magazine në Klan Kosova.

Vendimi i qeverisë tani duhet të miratohet nga Parlamenti gjerman, Bundestag, kurse për peshën historike që e ka pjesëmarrja gjermane në KFOR, zëdhënësi dha fakte të forta.

“Nga viti 1999, Ushtria jonë Bundeswehr, është e përfshirë në mënyrë aktive në misionin e KFOR-it, për stabilizimin edhe sigurimin e paqes në Kosovë. Situata e sigurisë në veri të Kosovës, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme politike, së fundmi është stabilizuar. Momentalisht janë të mundura përkeqësime afatshkurtra. Prandaj është me rëndësi që KFOR-i tutje të kontribuojë në përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë e Ballkan Perëndimor”, u shpreh ai.

Pos në perëndim të Ballkanit, republika gjermane po merr rol kyç ushtarakisht edhe në pjesë tjera të Evropës.

Këtë javë kancelari Merz, bashkë me ministrin e mbrojtjes Boris Pistorius, qëndruan në Lituani, ku në kufijtë e këtij shtetit me Rusinë e Bjellorusinë, do vendosen 5000 ushtarë gjermanë.

Kjo do të jetë, siç thanë zyrtarët më të lartë të Gjermanisë, pas Kosovës, dislokimi i dytë i madh i trupave të këtij vendi në një shtet tjetër, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

E me vendosjen e kësaj brigade në krahun Lindor të NATO-s, sipas tyre mbrohet çdo pëllëmbë e tokës së Aleancës.

Vetë Merz, tha se ka marrë fund koha kur dikush në Gjermani kishte iluzione për regjimin e Vladimir Putinit, i cili tash e tre vjet po e sulmon fqinjin, Ukrainën.