Në takimin e 294-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), zëvendëskryesuesi Dardan Vuniqi elaboroi analizën e Komisionit për Buxhet, Financa dhe Administrimin e Prokurorive, duke thënë se analiza është hartuar pas realizimit të takimeve nëpër prokurori, duke shtuar se nga Prokuroria Speciale nuk janë pritur në takim.
Vuniqi shtoi se Prokuroria Speciale nuk i është përgjigjur as pyetësorit që do të shërbente për nxjerrje të të dhënave dhe hartimin e dokumenteve që i nevojiten Komisionit- pyetje këto të përgatitura paraprakisht nga Komisioni, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas Vuniqit, gjendja në Prokurorinë Themelore në Prishtinë- konkretisht Departamentin e Përgjithshëm, është alarmante për shkak të mungesë së prokurorëve.
“Gjendja alarmante në Departamentin e Përgjithshëm në Prishtinë, shkak mungesa e prokurorëve”, tha Vuniqi.
Ai sqaroi për secilën prokurori nevojat që kanë për prokurorë dhe të dhënat lidhur me zbatimin e planeve strategjike, duke shtuar se gjatë takimeve është vërejtë zbatim i planeve strategjike.
Më tej, Vuniqi tha se në analizë paraqiten të dhënat e nxjerra nga të dhënat statistikore që sistemi posedon dhe se shërben si bazë për të kuptuar nevojat që ka sistemi.
Në fund, Vuniqi shtoi se sistemi ka nevojë urgjente për prokurorë, sidomos në Prishtinë dhe Gjakovë. Gjithashtu, për staf mbështetës si dhe nevoja të tjera të paraqitura në analizë.
Në anë tjetër, kryesuesi Arian Gashi shtoi se është për të ardhur keq që për herë të dytë Prokuroria Speciale nuk ofron bashkëpunim, andaj shtoi se për këtë situatë duhet të merret ushtruesi detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj.
Gashi shtoi se nga analiza është kuptuar se në disa prokurori ka më shumë se që është nevoja prokurorë në Departamentin e Krimeve të Rënda, duke shtuar se kjo flet për keqmenaxhim.
Anëtari Visar Krasniqi tha se qasja jo bashkëpunuese nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale është për keqardhje.
“Kjo flet për një qasje jobashkëpunuese, përndryshe kërkoj nga ju që në takimet e radhës të kërkohet raporti nga kryeprokurorët sepse kjo qasje është që ka kryeprokuror që nuk i përgjigjet fare Këshillit, me të vërtet është për keqardhje që nuk është përfshi Prokuroria Speciale e që po i bie se po funksion si një trupë që funksionon jashtë sistemit prokurorial”, tha Krasniqi.