Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike ka shënuar një ndër pikat më të rëndësishme për sektorin energjetik në Kosovë. Bizneset me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro janë obliguar të dalin në treg të hapur dhe të zgjedhin furnizuesin e tyre të energjisë. Kjo ka nxitur një valë të re aktiviteti dhe kërkesash, e cila ka prekur drejtpërdrejt furnizuesit e autorizuar në treg.
KESCO, si kompania me përvojën më të gjatë në furnizim dhe tregtim të energjisë në Kosovë, ka marrë një rol aktiv në këtë proces, duke ofruar jo vetëm kontrata, por edhe një qasje transparente dhe edukative për të gjitha bizneset, pa dallim nëse do të bëhen konsumatorë apo jo.
Për të kuptuar më mirë përgatitjet, sfidat dhe angazhimin e kompanisë në këtë fazë, zhvilluam një intervistë me znj. Rudina Heroi – Puka, zëvendësdrejtoreshë ekzekutive e KESCO.
Cilat kanë qenë hapat kryesorë që ka ndërmarrë KESCO pas marrjes së informacionit nga ZRRE për kalimin e bizneseve në treg të hapur?
Që në momentin që morëm konfirmimin për daljen e një kategorie të bizneseve në tregun e hapur, KESCO ka vepruar në disa drejtime paralelisht: kemi informuar konsumatorët për obligimet dhe të drejtat e tyre, kemi përgatitur platformat teknike dhe administrative për trajtimin e kërkesave, kemi përgatitur stafin për këtë proces specifik dhe kemi strukturuar ofertat që do të ofrojmë për bizneset.
Objektivi ynë nuk ka qenë vetëm të përgatitemi për konsumatorët tanë potencialë, por të mbështesim të gjithë sektorin e biznesit në këtë tranzicion, edhe nëse ata nuk zgjedhin KESCO si furnizuesin e tyre.
A janë drejtuar bizneset tek ju për informacione, meqenëse keni qenë furnizuesi i tyre me tarifa te rregulluara?
Po, është e vërtetë. Ne e kemi parë si detyrim profesional dhe etik të ndihmojmë bizneset të kuptojnë këtë proces, sepse shumë prej tyre për herë të parë po përballen me konceptin e tregut të hapur. Shumë nga këto biznese kanë qenë një kohë të gjatë konsumatorë të KESCO, dhe edhe pse ky raport ka ndryshuar me liberalizimin, mbështetja jonë nuk varet nga kontrata – por nga përgjegjësia institucionale.
Sa ka qenë interesimi i bizneseve për t’u furnizuar nga KESCO?
Interesimi ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i lartë. Deri tani kemi nënshkruar rreth 100 kontrata dhe jemi në proces të vazhdueshëm me dhjetëra kërkesa të tjera. Po punojmë me kapacitete të shtuara, në mënyrë që të përmbushim çdo kërkesë përpara datës 30 korrik, kur edhe përfundon furnizimi i përkohshëm nga KEK si Furnizues i Mundësisë së Fundit.
A është ky një proces i lehtë për bizneset? Si e shihni përgjegjësinë e KESCO në këtë kontekst?
Jo, ky nuk ka qenë një proces i lehtë për askënd. As për bizneset që përballen me zgjedhje të reja financiare, as për furnizuesit që përgatiten për një valë të madhe konsumatorësh. Por ky proces është pjesë e një agjende evropiane për liberalizim dhe konkurrencë, dhe ne si kompani kemi qenë të vetëdijshëm se do të ndodhë.
Për këtë arsye, është thelbësore t’u qëndrojmë afër bizneseve, të ofrojmë mbështetje dhe të sigurojmë që vendimet që marrin të jenë të informuara dhe të drejta.
Çfarë është KESCO Premium dhe çfarë roli luan në këtë proces?
KESCO Premium është një qendër e dedikuar për të gjitha bizneset që operojnë në treg të hapur. Aty ofrojmë shërbime të përqendruara: këshillim, informim, ndihmë në lidhjen e kontratave dhe orientim profesional. Adresa jonë në Rrugën Fehmi Agani është e hapur për të gjithë – dhe çdo biznes që ka nevojë për ndihmë është i mirëseardhur.
Gjithashtu kemi vënë në dispozicion emailin [email protected] për kërkesat elektronike për oferta. Ne e dimë që koha është e kufizuar, ndaj kërkojmë mirëkuptim nga bizneset për bashkëbisedim të organizuar dhe efikas, në mënyrë që të mund të u përgjigjemi të gjithëve brenda afateve të përcaktuara.
Çfarë garancish dhe përparësish ofron KESCO për bizneset që zgjedhin të lidhen me ju?
KESCO është kompania me përvojën më të gjatë në furnizim dhe tregtim të energjisë elektrike në Kosovë. Kemi ndërtuar sistemin mbi parimin e transparencës dhe partneritetit afatgjatë, me staf të specializuar që njeh çdo detaj të këtij tregu.
Nuk ofrojmë vetëm çmime konkurruese – ofrojmë siguri, stabilitet dhe një qasje që ka klientin në qendër. Për shumë biznese, energjia elektrike është jetike për funksionimin ditor, dhe ne e marrim këtë përgjegjësi shumë seriozisht.
Çka ndodhë pas datës 30 korrik?
Pas datës 30 korrik, KEK si Furnizues i Mundësisë së Fundit nuk do të vazhdojë më furnizimin me energji elektrike për bizneset që i përkasin kategorisë së derregulluar. Kjo do të thotë se çdo biznes që nuk ka lidhur një kontratë me ndonjë furnizues të licencuar në tregun e hapur, përfshirë KESCO-n, rrezikon të mbetet pa furnizim.
Prandaj kjo periudhë është kritike dhe kërkon veprim të menjëhershëm nga bizneset. Ne, si KESCO, po bëjmë maksimumin për të trajtuar të gjitha kërkesat në kohë, për aq sa është në kompetencën dhe kapacitetin tonë ta menaxhojmë këtë proces.
Megjithatë, edhe pas 30 korrikut, bizneset do të kenë të drejtë të zgjedhin furnizuesin e tyre në tregun e hapur. Ajo që ne rekomandojmë fuqishëm është që kontrata të lidhet përpara kësaj date, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e furnizimit dhe të shmanget çdo rrezik potencial për ndërprerje të aktivitetit të tyre afarist.
Një mënyrë më e lehtë dhe më e sigurt për të paguar me iPhone, Apple Watch, iPad, Mac dhe...