Zëvendës-ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Elfete Ismaili, dha dorëheqje të parevokueshme nga ky funksion. Kjo dorëheqje vjen pas largimit të ASH-së nga qeveria, nga radhët e të cilës vjen edhe Ismaili, transmeton Portalb.mk.
“Sot dorëzova dorëheqjen time të parevokueshme nga detyra e Zëvendës Ministres së Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë ushtrimit të këtij funksioni kam qenë e udhëhequr nga përkushtimi institucional, transparenca dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve dhe interesit shtetëror. Dorëheqja ime është rezultat i një vlerësimi të thelluar personal dhe profesional, duke besuar se ky është një hap i nevojshëm dhe në përputhje me bindjet e mia. Dua të shpreh mirënjohjen time për Kryeministrin z. Hristijan Mickoski për besimin dhe mundësinë për të qenë pjesë e një ekipi që ka bartur përgjegjësi të rëndësishme në një periudhë të ndjeshme për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit. Gjithashtu, një falënderim i veçantë shkon për Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, z. Arben Taravari, për mbështetjen dhe besimin që më dha për të përfaqësuar denjësisht partinë dhe shoqërin tonë në këtë funksion të lartë”, shkroi ajo në Facebook.
Ajo shtoi se prioritet i saj do të jenë gjithmonë mbështetja për institucionet dhe kontributi në shërbim të interesit publik, pavarësisht pozitave që do mbajë.
Kujtojmë se turbulencat në koalicionin VLEN dhe në Qeveri u shkaktuan nga krahu i Aleancës për Shqiptarët në partnerin qeveritar VLEN, kur kjo e fundit vendosi të dilte me listat e veta të këshilltarëve në zgjedhjet lokale në tetor.
Një gjë e tillë nuk u pranua nga partnerët e tij të koalicionit në VLEN. Kjo u pasua nga largimi i Taravarit nga koalicioni VLEN, dhe në publik lindën spekulime se ai po negocionte me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.