Zëri i refugjatëve në kujdesin shëndetësor - Gazeta Express
string(42) "zeri-i-refugjateve-ne-kujdesin-shendetesor"

Lajme

Gazeta Express

12/07/2025 19:43

Zëri i refugjatëve në kujdesin shëndetësor

Lajme

Gazeta Express

12/07/2025 19:43

Kur mbërriti në Kosovë rreth dy vite më parë si refugjat nga Ukraina, Volodimiri (Volodymyr) e dinte se do t’i duhej të përshtatej me një vend të ri dhe një sistem të panjohur shëndetësor. Me hipertension të diagnostikuar prej vitesh, ai kishte nevojë për barna të rregullta dhe monitorim të vazhdueshëm. Ai rrëfen se që në ditët e para të qëndrimit gjeti përkrahje të menjëhershme nga një mjek lokal që bashkëpunon me organizata që mbështesin refugjatët dhe azilkërkuesit në Kosovë.

Foto: Kujdesi i mjekut për pacientin – Burimi: Unsplash.

“Dr. Kastrioti më gjeti, më dha kontaktet e tij dhe më premtoi mbështetje të gjithanshme. Pas kësaj, për çdo problem shëndetësor jam drejtuar menjëherë tek ai dhe gjithmonë kam marrë ndihmë të kualifikuar,” u shpreh Volodimiri.

Përkrahje të ngjashme ka marrë edhe F.A., i cili është zhvendosur në Kosovë nga Lindja e Mesme dhe jeton me diabet që prej vitit 2009. Ai thekson se ndihma e ofruar dhe mundësia për të ndjekur trajtimin në vazhdimësi kanë pasur ndikim të madh në ruajtjen e shëndetit të tij.

“Dr. Kastrioti më ka ndihmuar vazhdimisht për të marrë trajtimin, duke më caktuar termine dhe analizat e nevojshme. Ai dhe organizata ku punon, JRS Kosova, kanë luajtur një rol të madh në ndjekjen e trajtimit tim, duke më siguruar barnat për diabet në mënyrë të rregullt dhe me kohë,” theksoi F.A

Foto: Volodimir Martynovi, teksa merrtrajtimin e përditshëm – Burimi: Martynovi

Përvoja pozitive me sistemin shëndetësor është e pranishme edhe në rrëfimet e refugjatëve të tjerë. “Jam shumë e lumtur që kam ardhur në Kosovë, sepse vendi dhe njerëzit janë të sjellshëm dhe mikpritës,” thotë M.T., një refugjate që tregon se hipertensioni i ishte diagnostikuar pak para ardhjes dhe që nga ajo kohë e ka ndjekur trajtimin rregullisht me mbështetjen e Dr. Kastriotit.

Roli i mjekëve dhe sfidat në terren

Dr. Kastriot Dodaj, specialist i mjekësisë familjare në JRS Kosova, luan një rol kyç në ofrimin e kujdesit shëndetësor për personat e zhvendosur. Ai shpjegon se qasja në shërbime shëndetësore për refugjatët është e njëjtë me atë të qytetarëve të Kosovës.

“Kuptohet, gjithmonë duhet të posedojnë dokumentet e identifikimit, dhe ne si JRS i asistojmë sipas nevojës në vizita të ndryshme mjekësore, nga ato më të thjeshta deri tek klinikat e specializuara,” theksoi doktori.

Foto: Dr. Kastriot Dodaj duke ndihmuar një refugjat – Burimi: JRS Kosova.

Dr. Dodaj ndalet edhe te sfidat me të cilat përballen refugjatët në qasjen ndaj kujdesit shëndetësor. Sipas tij, pengesat kryesore janë mungesa e njohjes së gjuhës dhe e sistemit shëndetësor në Kosovë. Për të lehtësuar këtë proces, ai propozon disa hapa praktikë që do të përmirësonin qasjen dhe cilësinë e shërbimeve.

“Akomodimi i refugjatëve sa më afër institucioneve shëndetësore; sipas mundësive, ofrimi i përkthyesve për dialekte specifike; punimi i broshurave informuese mbi shërbimet publike në Kosovë; si dhe shkurtimi i termineve për vizita specialistike,” sugjeroi ai.

Në qendrat shëndetësore, mjekët lokalë po ashtu luajnë një rol të rëndësishëm. Një nga profesionistet shëndetësore që ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me këtë komunitet është Dr. Kimete Surdulli, specialiste e mjekësisë familjare në Qendrën e Mjekësisë Familjare nr. XI në Prishtinë. Ajo ndan përvojën e saj pozitive me refugjatët dhe thekson se ata marrin të njëjtin trajtim dhe kujdes si pacientët e tjerë vendas.

“Për aq sa kemi kompetenca, mundohemi t’u ofrojmë një ambient të sigurt dhe të besueshëm lidhur me gjendjen aktuale shëndetësore të tyre, qoftë fëmijë apo i rritur,” u shpreh Dr. Surdulli.

Sipas saj, sfidë kryesore mbetet komunikimi për shkak të barrierës gjuhësore.

“Shpesh, në mungesë të përkthyesit, pacientët janë të detyruar të përdorin Google Translate, ose ka raste kur fëmijët e vegjël përpiqen të komunikojnë në gjuhën angleze, ndonjëherë edhe shqip. Por kjo, prapëseprapë, nuk është mënyra që do duhej të praktikohej tek ne,” shtoi ajo.

Rëndësia e informimit dhe mbështetjes së vazhdueshme

Për Tetianën dhe djalin e saj, të zhvendosur nga Ukraina, kujdesi shëndetësor ka qenë një nevojë e vazhdueshme gjatë qëndrimit në Kosovë. Ata janë përballur me situata të ndryshme, nga më të lehtat deri te ato më seriozet, por siç tregon ajo, gjithmonë kanë gjetur mbështetje nga organizatat.

“Gjatë qëndrimit tonë në Kosovë, na kanë ndodhur shumë gjëra. Djali theu dorën dhe unë shtrembërova këmbën. Dhe çdo herë që unë apo djali kishim nevojë për ndihmë urgjente, merrnim mbështetje nga AGK ose JRS,” u shpreh ajo.

Foto: Tetiana Kraselnykova me këmbën e lënduar gjatë një aktiviteti – Burimi: Kraselnykova.

Tetiana sugjeron që qasja në shërbimet mjekësore mund të lehtësohet edhe përmes informimit më të qartë.

“Do të ishte mirë të shpërndahen materiale informuese (si fletushka) me numrat dhe adresat e shërbimeve emergjente si autoambulanca, zjarrfikësit dhe policia,” theksoi ajo.

Sesionet informuese dhe edukimi shëndetësor

Për të ofruar më shumë informacione mbi sistemin shëndetësor, organizata JRS Kosova ka organizuar sesione informuese për refugjatët. Drejtoresha e kësaj organizate, Orjana Shabani, thekson se këto sesione janë zhvilluar si përgjigje ndaj nevojave të identifikuara gjatë kontakteve të përditshme me refugjatët dhe kërkesave të përsëritura për më shumë informacione rreth qasjes në kujdesin shëndetësor.

“Pjesëmarrësit u informuan për të drejtat e tyre në lidhje me kujdesin shëndetësor, procedurat për të marrë shërbime në qendrat shëndetësore publike, aksesin në ndihmën e parë dhe shërbime të specializuara, si dhe rolin e përkthyesve në procesin e komunikimit me profesionistët shëndetësorë dhe si të mbrohen nga dezinformatat rreth shëndetit,” u shpreh ajo.

Foto: Refugjatët gjatë një sesioni informues mbi sistemin shëndetësor të ofruar nga JRS Kosova – Burimi: JRS.

Bashkëpunimi me profesionistët e sektorit shëndetësor gjatë këtyre sesioneve ka luajtur një rol të rëndësishëm në informimin e personave të zhvendosur. Në disa prej sesioneve janë ftuar edhe përfaqësues nga institucionet shëndetësore lokale për të ndarë informacione të drejtpërdrejta dhe për të ndërtuar një urë më të fortë besimi mes refugjatëve dhe sistemit shëndetësor.

Ndërkohë, edhe Tetiana thekson rëndësinë e sesioneve informuese, veçanërisht atij për ndihmën e parë.

“Pasi përjetova dhënien e ndihmës së parë për një person të dashur, e kuptoj sa e rëndësishme është kjo njohuri,” u shpreh ajo.

Nevoja për përmirësime të mëtejshme

Krahas rëndësisë së vazhdimit të sesioneve informuese, nevojiten hapa të mëtejshëm që do të lehtësonin dhe përmirësonin qasjen e refugjatëve në shërbimet shëndetësore.

“Është e nevojshme të rritet disponueshmëria e përkthyesve në sistemin shëndetësor dhe të përforcohet bashkëpunimi ndërinstitucional për të adresuar rastet e ndërlikuara në mënyrë të koordinuar. Gjithashtu, fushatat e vetëdijesimit dhe trajnimet për profesionistët shëndetësorë mbi ndjeshmërinë kulturore janë thelbësore për të siguruar qasje të barabartë dhe dinjitoze për të gjithë,” theksoi Shabani.

E drejta për kujdes të barabartë

Karta e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë garanton të drejtën e çdo qytetari për qasje të barabartë dhe të paanshme në shërbimet shëndetësore. Sipas kësaj Karte, çdo pacient ka të drejtë të informohet plotësisht për gjendjen e tij shëndetësore, trajtimet dhe alternativat, si dhe të japë pëlqimin e informuar për çdo procedurë. Pacientët mund të zgjedhin mjekun e tyre dhe të kenë qasje në informacionin personal mjekësor. Gjithashtu, ata kanë të drejtë të paraqesin ankesa në rast shkeljeje të këtyre të drejtave dhe të kërkojnë zgjidhje të drejtë. Kjo Kartë siguron që shërbimet shëndetësore të jenë të disponueshme për të gjithë pa dallim gjinie, race apo statusi social.

Sipas të dhënave nga JRS Kosova, nga janari deri në maj të këtij viti, rreth 45 refugjatë dhe 37 azilkërkues kanë përfituar shërbime mjekësore në Kosovë.

***

Ky artikull është prodhuar në kuadër të aktivitetit “Media nxit diskutimin për angazhimin e pacientëve”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), i cili është një nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e IHS-së apo AGK-së.

Autore: Erblina Krasniqi