Zëri i Amerikës: BE-ja dhe Ballkani perëndimor, shpresa për një qasje të re ndaj zgjerimit - Gazeta Express
string(88) "zeri-i-amerikes-be-ja-dhe-ballkani-perendimor-shpresa-per-nje-qasje-te-re-ndaj-zgjerimit"

Zëri i Amerikës: BE-ja dhe Ballkani perëndimor, shpresa për një qasje të re ndaj zgjerimit

Gazeta Express

17/02/2020 8:35

Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, u dukën të kënaqur me diskutimet e së dielës mbrëma në Bruksel në një darkë pune me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel.

A5FE919A-ACF0-4329-85C8-172D92B6E2B6_w1023_r1_s

Në takim morën pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, si kryesues i radhës së BE-së.

Lexo Edhe:

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian thanë se është në interesin gjeostrategjik të BE-së afrimi sa më i madh i Ballkanit Perëndimor dhe paralajmëruan një plan investimesh që do të paraqitet në takimin e Këshillit të Ministrave në muajin mars.

Takimi u mbajt në një periudhë kur janë shtuar shpresat për fillimin negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi që të shtunën presidenti francez Emmanuel Macron tha gjatë Konferencës së Munihut se “duhet të shohim se çfarë thotë Komisioni, lidhur me përparimet e pritura nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut… nëse rezultatet janë pozitive dhe besimi vendoset, atëherë ne do mund të jemi në gjendje që ta hapim bisedimet”.

Rama: Vlerësimi i Komisionit Evropian do të jetë pozitiv

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se “pavarësisht se çfarë do të vendosin miqtë tanë evropian, është mirë që së paku të fillojnë të thonë plotësisht të verbëtën dhe të mos mbetet gjithmonë si zakonisht topi në derën tonë, kur faktikisht krosimi i gjatë dhe nxjerrja e topit nga fusha, vjen si rezultat i diskutimit të brendshëm”.

Ai e cilësoi të rëndësishëm faktin se ka një dakordim për metodologjinë e re (të zgjerimit) nga ana e vendeve anëtare dhe një proces të rilindur të zgjerimit përmes një ecurie të vendeve kandidate jo vetëm mbi bazën e deritashme por edhe mbi bazën e mbështetjes për sa i përket aspekteve financiare. Ai u shpreh i bindur se vlerësimi i Komisionit Evropian për Shqipërinë do të jetë pozitiv.

“Vlerësimi i Komisionit Evropian ka qenë pozitiv, do të jetë pozitiv se s’ka si te jetë ndryshe përderisa Shqipëria i ka bërë dhe po i bën detyrat. Madje unë pres që edhe nisma jonë më e fundit të gjejë vendin e vet të merituar në vlerësimin Komisionit Evropian për Shqipërinë”, tha ai.

Thaçi: BE-ja të shkëputet nga raporti platonik me Kosovën.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se gjatë takimit ka theksuar dy gjëra shumë të rëndësishme.

“E para që Kosovës duhet t’i ndodhë liberalizimi i vizave sa më parë që është e mundur. Kosova ka përmbyllur të gjitha proceset dhe ka realizuar të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave. Të mos vazhdohet me ketë padrejtësi në raport me Kosovën dhe të shkëputet ky raport krejt abstrakt dhe platonik i BE-së me qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Dhe kam pyetur shumë hapur se edhe cka duhet të bëj Kosova që të ndodhë liberalizimi i vizave?”.

Ai tha se përgjigja e zyrtarëve të BE-së është se asgjë më tepër se tash është vetëm vendimi i Këshillit Evropian. Ai tha se u diskutua edhe për mundësinë e vazhdimit të bisedimeve Kosovë – Serbi dhe në këtë kuadër tha se ka kërkuar që ideja e Bashkimit Evropian për një të dërguar të posaçëm për këtë çështje “të mos jetë një vend i ri i punës për ndonjë zyrtar, burokrat apo diplomat të Bashkimit Evropian. Por të jetë, nëse ndodhë, një i ngarkuar me kuptim, qëllim dhe vizion se çka dëshiron dhe si mund ta afron Kosovën drejt perspektivës konkrete evropiane”.

Ai tha se cilido që të jetë i dërguari i posaçëm “Kosovën duhet ta trajtojë si vend sovran, përndryshe nuk e ka asnjë kuptim”.

Presidenti Thaçi tha se roli i BE-së duhet të jetë i rëndësishëm, por roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vazhdon të mbetet i pazëvendësueshëm.

“Marrëveshjet që janë arritur nën udhëheqjen e ambasadorit Richard Grenell, janë të rëndësishme dhe kanë qenë historike, gjëra që nuk kanë ndodhur në 20 vitet e fundit. Por, për Kosovën është më rëndësi që të ketë koordinim në mes të Shteteve të Bashkuara dhe BE-së. E theksoj se marrëveshja përfundimtare mund të arrihet vetëm me rolin udhëheqës të lidershipit të presidentit Trump dhe administratës amerikane”, tha ai.

“Shëngeni Ballkanik”

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vucic, tha se ishte një takim i mirë për të gjithë ndërsa vuri theksin tek nisma për lirinë e lëvizjes që u bë e njohur si “mini-Shengeni Ballkanik”.

“Kjo do të hapte një perspektivë që do të thoshte më shumë rezultate konkrete sesa që kishim deri tash”, tha ai.

Kryeministri Rama shfaqi bindjen se BE-ja dhe Komisioni Evropian do ta mbështesin këtë nismë “se s’ka si të ndodhi ndryshe përderisa është një vizion që merr spunto nga katër liritë e vet Bashkimit Evropian. Por, sigurisht do të na duhet të kemi pak durim sepse ngatërrestarët nuk janë vetëm në Ballkan, janë edhe në Evropë, janë kudo”, tha ai duke shprehur besimin se në fund, “jo vetëm që Bashkimi Evropian do ta mbështes fuqimisht, por kam bindjen se vendet do të vlerësohen edhe në bazë të qasjes dhe të kapaciteteve për të jetësuar hapësirën evropiane brenda perimetrit të Shëngenit rajonal”.

Ndërsa presidenti Thaçi theksoi se “Kosova në asnjë rrethanë nuk i ka ikur bashkëpunimit rajonal sepse nuk ka pse të ikë, me standarde evropiane që duhet të jetë, por gjithmonë Kosova do të jetë aty ku trajtohet e barabartë dh trajtohet si vend i pavarur dhe sovran. Në asnjë rrethanë, me asnjë çmim nuk do të merr pjesë në ndonjë ide, në ndonjë projekt që nuk trajtohet si vend i pavarur dhe sovran”.

Zhelko Komshiç, kryesues i presidencës së Bosnje Hercegovinës tha se nuk mendojnë të gjithë njësoj për këtë nismë.

“Ne të tjerët, para së gjithash ne dhe Mali i Zi, kemi pikëvështrim tjetër. Për ne është e papranueshme nëse nuk është edhe Kosova dhe nëse nuk nënshkruhen marrëveshjet për kufijtë. Si të flisni për lirinë e lëvizjes së njerëzve kur nuk i keni përcaktuar kufijtë”, tha ai.

Nga gjashte vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë hapur negociatat kohë më parë dhe llogariten si favorit. Ndërsa e fundit në proceset integruese mbetet Kosova për shkak të mosnjohjes nga pesë vende të BE-së. Qytetarët e Kosovës janë po ashtu të vetmit që nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Takimi u mbajt një ditë para Konferencës së Donatorëve organizuar nga Bashkimi Evropian për të mbështetur Shqipërinë në përballjen me pasojat e tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, e cilësoi të hënën si ditën “D” duke shfaqur shpresën se “do të gjejmë solidaritet dhe mbështetje të mjaftueshme për të çuar përpara rindërtimin”. VOA