Eksperti i burimeve njerëzore, Donart Zeqiri, në emisionin EURO n’T7 ka komentuar raportin e fundit të Institutit GAP, ku thuhet se për tri vjet 139 mijë punëtorë kosovarë kanë lëshuar vendin.
Ky fakt, sipas tij, është shumë shqetësues dhe arsyeja e parë e largimit të tyre është pasiguria në punë.
Zeqiri shtoi se kjo pasiguri nis që nga pasiviteti dhe joprofesionalizmi i Inspektoratit të Punës, e deri tek vendosja e njerëzve jo adekuatë në pozita udhëheqëse.
“Personat që po vendosen në pozita udhëheqëse po tregohen të paaftë. Fillimisht ata nuk po arrijnë as të kthejnë një kompani nga humbje në profitabilitet, pastaj marrin vendime të cilat dëmtojnë edhe kompaninë, edhe punëtorët, edhe shtetin, dhe kjo pastaj ndikon në gjithë zinxhirin ekonomik,” ka pohuar Zeqiri.
Sjellja e institucioneve në këtë mënyrë po demotivon çdo ekspert të fushës për të konkurruar për pozita të rëndësishme shtetërore.
“Kjo çka po ndodh nëpër konkurse po demotivon secilin ekspert të fushës, pasi që pozitat që po shpallen po bëhen për njerëz ose që tashmë janë brenda institucioneve, ose që janë të lidhur me politikë. Ka persona shumë të zotë në ndërmarrjet private, të cilët po kanë shumë sukses në këto ndërmarrje, por asnjë prej tyre nuk merr as mundimin që të konkurrojë në pozita të larta shtetërore, për arsyet që tashmë dihen,” ka shtuar Zeqiri.