Zënkë mes presidentit të Barcelonës dhe atij të Napolit, para duelit në Champions - Gazeta Express

Zënkë mes presidentit të Barcelonës dhe atij të Napolit, para duelit në Champions

Sport

Gazeta Express

06/08/2020 15:49

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, e ka kritikuar presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentiis për deklaratën e tij alarmuese para përballjes mes dy klubeve në Ligën e Kampionëve.

Presidenti Napolit kishte kërkuar nga UEFA të zhvendoset ndeshja kthyese e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve nga Camp Nou në ndonjë stadium neutral shkaku i numrit të madh të të infektuarve me Covid-19 në Katalonjë, transmeton Gazeta Express.

Mirëpo, UEFA e konfirmoi se përballja mes Barcelonës dhe Napolit do të zhvillohet ashtu siç ishte planifikuar, më 8 gusht në Camp Nou.

Tani, presidenti i Barcelonës e ka kritikuar presidentin e Napolit për tentimin e tij për ta zhvendosur ndeshjen në ndonjë stadium tjetër.

“Nuk e ndaj të njëjtin mendim me presidentin e Napolit. Ai i ka arsyet e veta, por mendoj se është logjike që ne të tentojmë t’i kthejmë gjërat në normalitet dhe normaliteti është që skuadra të luajnë nëpër stadiumet e veta”, ka thënë Bartomeu.

“Mesazhet e tilla alarmuese janë të këqija për të gjithë. Mesazhi i duhur është ai i UEFA-s, që po tenton t’i kthejë gjërat në normalitet dhe ne të gjithë duhet t’i ndjekim protokollet”.

“Pajtohem plotësisht me vendimet e UEFA-s dhe me zhvillimin e fazave të mëtutjeshme në Lisbonë. Nga fillimi ne menduam se do të luanim atje, do të kishte qenë shumë e çuditshme të mos luajmë në Camp Nou”.

Ndeshja e së shtunës do ta sjellë një superduel pasi që dy skuadrat janë ende në garë për ta zënë një vend në çerekfinale, pasi që ndeshja e parë mes tyre, në San Paolo, përfundoi me barazim 1:1.

Fituesi i përballjes të së shtunës do të takohet në çerekfinale, që do të zhvillohet në Lisbonë të Portugalisë, me fituesin e përballjes mes Bayern Munichut dhe Chelseat. /Gazeta Express/