Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj tha se LDK-ja kërkon konstituimin e institucioneve të reja.
Ai tha në hollin e Kuvendit para seancës konstituive se i takon partisë fituese që “t’i sigurojë votat”.
Zemaj tha se “pa marrëveshje politike nuk votojmë”, duke pohuar me “sigurisht” se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.
I pyetur nëse do ta votojnë kryetarin e Kuvendit dhe përbërjen e Qeverisë së re, Zemaj tha: “Ne do të marrim pjesë në votim. Votimi është i hapur. Janë tri mënyra të votimit: për, kundër, abstenim. Ne do ta zgjedhim atë të cilën e kemi përcaktim. E thashë që pa marrëveshje politike, nuk votojmë, marrëveshjet politike sigurisht”.
“Kërkojmë të kemi konstituimin e institucioneve, por për emrat e përveçëm, i takon partisë fituese edhe t’i sigurojë votat, sigurisht, por edhe të krijojë mundësitë që t’i kemi institucionet e reja, që të mos vazhdojë me atë bllokadën që e kishim fatkeqsisht vitin e kaluar”, tha ai.
“Ne asnjëherë nuk i kemi lidhur vendimet tona për emrat e përveçëm, por pa marrëveshje politike nuk votojmë asnjë kandidat”, tha Zemaj.
Ai tha se çështja e nënkryetarëve të Kuvendit, që këtë herë është planifikuar të bëhet në pako, “është fatkeqësisht një strategji e ndërrimit të pozicioneve të Lëvizjes Vetëvendosje”.
“Nuk do të duhej të ishte pjesë e debateve politike”, tha ai, ndër tjerash.